Mësuesi për arsimin special, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë në Korçë hap programin “Master”

Aktualitet | 1 vit më parë

Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë në Universitetin “Fan Noli” të Korçës, do të ofrojë këtë vit akademik programin e ri të studimit Master Profesional në “Mësuesi për Arsimin Special”.

Ky program, synon të përgatisë profesionistë të kualifikuar në fushën e arsimit gjithëpërfshirës, duke iu përgjigjur nevojave të tregut të punës për mësues dhe edukatorë të aftë, të mbështesin fëmijët me aftësi ndryshe.

“Duke pasur parasysh numrin gjithnjë në rritje edhe të fëmijëve me nevoja të veçanta, por veçanërisht të mësuesve ndihmës që aktualisht janë në detyrë dhe janë të pakualifikuar me master apo kualifikime afatgjatë”, tha Dr. Albina Pajo, përgjegjëse e Departamentit të Edukimit.

Për këtë vit akademik, janë miratuar 40 kuota për këtë program, ndërkohë që aplikimet kanë qenë të shumta, nisur nga fakti se nga mbi 200 mësues ndihmës që ka qarku i Korçës, rreth 140 prej tyre janë të pakualifikuar.

“Kërkesa është shumë e madhe, fluksi i aplikantëve është shumë i madh. Do ti kërkohet të kenë durim sepse numri i kuotave është i përcaktuar dhe nuk mund të shtojmë kuota të tjera. Ndërkohë që aplikantët fitues do të renditen në listë sipas mesatares”, nënvizoi ajo.

Ky program i ri shihet si një mundësi për forcimin e rolit të universitetit në përgatitjen e specialistëve që mbështesin edukimin dhe integrimin e fëmijëve me aftësi ndryshe.

Gazetare: E. Fili  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme