60-vjetori i krijimit të Batalionit të Mbështetjes, Begaj dhe Vengu: Njësi elitë, simbol i dinjitetit dhe profesionalizmit

Aktualitet | 1 vit më parë

Forcat e Armatosura të Shqipërisë përkujtuan 60-vjetorin e krijimit të Batalionit të Mbështetjes së Shtabit të Përgjithshëm, një nga njësitë më të rëndësishme dhe simbolike të mbështetjes së strukturave komanduese të FA-ve.

Presidenti Bajram Begaj, në fjalën e tij në ceremoninë e mbajtur vlerësoi kontributin gjashtëdekadësh të kësaj njësie, duke theksuar se misioni i këtij batalioni ka tejkaluar detyrat ushtarake tradicionale, duke përfshirë edhe përfaqësimin me dinjitet të Forcave të Armatosura dhe shtetit shqiptar në ceremoni kombëtare e ndërkombëtare përmes truprojës së nderit dhe orkestrës frymore.

Po ashtu, Begaj theksoi se 60-vjetori i Batalionit të Mbështetjes përfaqëson një moment kulmor në historinë e kësaj njësie.

“Për 6 dekada, falë përkushtimit, profesionalizmit e dedikimit të drejtuar nga komandantë me vizion, kjo njësi ka përmbushur me sukses misionin e saj në mbështetjen e shtabit të përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

 Misioni juaj nuk kufizohet vetëm në detyrat ushtarake, truproja e nderit dhe orkestra frymore kanë përfaqësuar me dinjitet FA dhe shtetin shqiptar në ceremoni kombëtare e ndërkombëtare, me paraqitje dinjitoze e profesionalizëm ata frymëzojnë e edukojnë atdhedashurinë.

Efektivët e truprojës së nderit dhe orkestrës frymore kanë nderuar uniformën me ngjyrat e flamurit.

Mirënjohje për të gjithë efektivët dhe punonjësit civil, që kanë shërbyer me devotshmëri e profesionalizëm duke i dhënë njësisë emrin e njësisë elitë të strukturave mbështetëse të FA-ve”, deklaroi Begaj.

Ky i fundit theksoi se uniforma e ushtarakëve shqiptarë sot, është simbol i disiplinës, përkushtimit e dinjitetit kombëtar.

“Dita e sotme është dhe një çast reflektimi. Ky rrugëtim 6 dekada, ka qenë i shtruar me sakrifica por i kurorëzuar me dinjitet.

Arritjet tuaja kanë ardhur jo vetëm nga stërvitja e disiplina por nga udhëheqje e trinomit të shenjtë: detyra-nderi-atdheu. Ky parim, ka qenë busulla morale që orientoi çdo brez ushtarak dhe mbetet themeli i krenarisë dhe besimit të FA-ve.

Ashtu si ky batalion dhe FA kanë hyrë në një epokë të re, më moderne në pajisje e aftësi, më e respektuar në shoqërinë shqiptare”, përfundoi ai.

Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu vlerësoi rolin funksional të njësisë, si dhe kontributin në formimin e brezave të rinj të drejtuesve të FA-ve, duke shërbyer si një “shkollë komandimi” ndër vite.

“60-vjetori i Batalionit të Mbështetjes, është një pikë veçanërisht kulmore në historinë e kësaj njësie, për vetë faktin se ajo ka shoqëruar në historinë e Shqipërisë moderne të gjitha etapat e transformimit të FA-ve dhe dritëhijet e shtet ndërtimit tonë gjatë periudhës së tranzicionit.

Synojmë të rikthejmë përgjegjësinë e kësaj njësie dhe batalioni për sigurinë e kryeqytetit dhe infrastruktura kritike.

Një element i dytë me rëndësi të veçantë është që ky batalion ka shërbyer dhe si shkollë komandimi në FA dhe nuk është rastësi që një pjesë e drejtuesve të FA-ve kanë dalë nga ky batalion. Është një batalion që përfaqëson tërësinë e spektrit të luftimit dhe përfaqësimit të shtetit”, deklaroi ministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme