Universiteti Politeknik, praktika të paguara për studentët dhe investime në infrastrukturë. Rama: Të jeni gati për ndryshimet epokale
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe Universiteti Politeknik i Tiranës (UPT) nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që synon mbështetjen dhe përgatitjen e studentëve përmes praktikave të paguara të punës.
Kjo iniciativë ka për qëllim aftësimin profesional të studentëve dhe njohjen e tyre nga afër me proceset e zhvillimit të infrastrukturës në terren, duke kontribuar në formimin e një brezi të ri inxhinierësh, gjeologësh dhe profesionistësh të tjerë të kualifikuar.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në ambientet e Universitetit Politeknik të Tiranës, në prani të kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministres dhe ministers së MIE-së, Belinda Balluku dhe drejtuesve të UPT-së.
Marrëveshja shënon një moment kyç për forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve publike dhe akademike, duke ofruar mundësi konkrete për studentët që të zhvillojnë aftësitë e tyre praktike dhe të përgatiten për tregun e punës në sektorë strategjikë si infrastruktura dhe energjia.
Gjatë fjalës së tij në ceremoni, kryeministri Edi Rama theksoi angazhimin e qeverisë për të fuqizuar Universitetin Politeknik me infrastrukturë moderne dhe teknologji të avancuar.
“Faktikisht ky universitet po fuqizohet me 2 infrastruktura moderne të cilat do të garantojnë hapësirë dhe kushte optimale për studentët që nga inxhinieria deri te gjeologjia dhe patjetër që ne nuk do të mjaftohemi me kaq”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se, përtej këtyre investimeve, është po aq e rëndësishme që universiteti të pajiset me laboratorë dhe teknologji të nevojshme për të përqafuar ndryshimet epokale që po ndodhin globalisht
Rama vuri theksin te nevoja për të mbajtur hapin me zhvillimet teknologjike, veçanërisht në fushën e inteligjencës artificiale (AI), e cila po transformon çdo aspekt të shoqërisë dhe ekonomisë.
“Përtej kësaj infrastrukture të re dhe të domosdoshme është po kaq e domosdoshme që ne të mbështesim universitetin për t’u fuqizuar me laboratorët e nevojshëm për t’u fuqizuar me teknologjinë e nevojshme në mënyrë që ndryshimi epokal që po ndodh kudo në botë ta përfshijë fuqimisht edhe universitetin,” tha ai.
Kryeministri theksoi se AI ofron mundësi për “kapërcime epokale” pavarësisht pozicionit gjeografik, duke e cilësuar atë si një mjet kyç për zhvillimin e arsimit dhe inovacionit në Shqipëri.
Rama theksoi se universitetet shqiptare duhet të krijojnë hapësira për të nxitur kërkimin dhe zhvillimin në fushën e inteligjencës artificiale.
“Në fund dua ta mbyll me këtë ndryshim dhe me domosdoshmërinë që në çdo universitet ne të krijojmë sa më parë hapësirat për t’i dhënë mundësi pedagogëve, studentëve që të aktivizojnë talentet dhe dijet por edhe kuriozitetin e tyre intelektual për inteligjencën artificiale,” u shpreh ai.
Ai shtoi se “mbi të gjitha, ka pak rëndësi në cilën pikë të globit ndodhesh pasi përmes inteligjencës artificiale mund të bëhen kapërcime epokale”.
Rama premtoi se qeveria do të alokojë fonde në buxhetin e vitit 2026 për të financuar iniciativa që lidhen me inteligjencën artificiale në universitetet shqiptare.
“Në funksion të kësaj që thashë, ne do të përgatitemi që në buxhetin e vitit të ardhshëm të mbështesim të gjitha sprovat që do t’ia vlejnë të mbështeten në këtë drejtim,” deklaroi ai, duke nxitur studentët dhe pedagogët të punojnë për rritjen e komponentit të Inteligjencës Artificiale në të gjitha hapësirat universitare.
“Studentët dhe pedagogët të punojnë sa më shumë për rritjen e komponentit të inteligjencës artificiale në të gjithë hapësirat e universiteteve tona,” përfundoi kryeministri.
Marrëveshja mes MIE-së dhe UPT-së synon të krijojë një urë lidhëse mes arsimit dhe sektorit të infrastrukturës, duke u mundësuar studentëve të inxhinierisë, gjeologjisë dhe fushave të tjera teknike të fitojnë përvojë praktike përmes praktikave të paguara.
Kjo iniciativë adreson një nga sfidat kryesore të sistemit arsimor shqiptar: mungesën e lidhjes mes teorisë dhe praktikës, si dhe nevojën për të përgatitur studentët për tregun e punës. Sipas zyrtarëve të MIE-së, praktikat do të përfshijnë projekte konkrete të infrastrukturës, si ndërtimi i rrugëve, urave dhe projekteve energjetike, duke u dhënë studentëve mundësinë të punojnë
Investimet në dy infrastruktura të reja, të cilat Rama i cilësoi si “moderne dhe optimale”, pritet të përmirësojnë kushtet e studimit dhe të krijojnë ambiente më të përshtatshme për kërkimin shkencor dhe inovacionin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




