Mbledhja e PPE në Strasburg, Berisha: Qeveria e lidhur me kartelet. Droga, kërcënimi më i madh ekzistencial për shqiptarët

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e tij para grupit të Partisë Popullore Evropiane (PPE) në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, denoncoi qeverinë shqiptare si një strukturë të lidhur me kartelet e drogës, duke e cilësuar drogën si “rrezikun më të madh ekzistencial për shqiptarët” dhe shndërrimin e Shqipërisë në një “shtet narkotik”.
Berisha theksoi se një fenomen i tillë nuk kërcënon vetëm Shqipërinë, por të gjithë rajonin dhe Evropën.
Ai kritikoi ashpër qeverinë e Edi Ramës për shkelje të Kushtetutës, presion mbi median dhe mungesën e autonomisë vendore, duke e lidhur gjithçka me një “sistem të thellë përgjimi dhe censure”.
“Zoti President, qeveria e re dhe programi i saj, programi katërvjeçar, u votuan për 28 minuta. 28 minuta. Mbi bazën e një skenari të përgatitur mirë. Duke shkelur Kushtetutën, duke shkelur gjithashtu edhe rregullat e Parlamentit. Ata votuan me urdhër të Kryeministrit në sallë. Votuan për 28 minuta. Ky ishte debati. Kur ne, si opozitë, kërkuam të vihej një mocion për debat mbi programin e qeverisë, u refuzua. Të drejtat kushtetuese dhe të drejtat që burojnë nga rregullat e Parlamentit të deputetëve nuk respektohen aspak,” denoncoi Berisha, duke e cilësuar këtë si një shkelje të hapur të parimeve demokratike.
Lideri demokrat akuzoi qeverinë për krijimin e një “sistemi të thellë përgjimi të internetit”, duke përmendur bllokimin e TikTok-ut si një shembull.
“Tani, pas kësaj, ka shumë të dhëna se ata kanë instaluar një sistem të thellë përgjimi të internetit. Në një moment, ata bllokuan TikTok-un. Ne po e verifikojmë, por ka të dhëna shumë të qarta, kristal, se kjo ka ndodhur,” tha ai.
Duke iu referuar antimafias italiane Berisha theksoi se përfaqësues të qeverisë shqiptare “kanë zhvilluar një takim në Aruba me bosët e drogës për të investuar paratë e tyre të pista në Shqipëri”.
“Miqtë folën për kërcënime të ndryshme, kërcënimin rus, kërcënimin tjetër, kërcënimin tjetër. Për shqiptarët, kërcënimi më i madh ekzistencial është droga. E vërteta është… se ne do t’ju informojmë ju, kolegë të nderuar, me dokumente dhe materiale, por çfarë ka dalë? Ka dalë nga antimafia italiane që përfaqësues të qeverisë shqiptare kanë bërë një takim në Aruba me kartelet më të larta të drogës. Cili ishte qëllimi i takimit? Qëllimi ishte një marrëveshje për të investuar paratë e tyre në Shqipëri,” deklaroi Berisha.
Ai lidhi këtë me të dhënat ekonomike duke theksuar se “…kushdo që vjen në Shqipëri ose sheh të dhënat e Eurostat-it, do të gjejë që indeksi i ndërtimit në Shqipëri është tre herë më i lartë se mesatarja për Bashkimin Europian. Ndërkohë që industria, bujqësia po bien, janë në recesion.” Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për presion mbi raportin ndërkombëtar për zgjedhjet: “Dhe ende raporti ndërkombëtar për zgjedhjet nuk ka dalë. Vetë Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm janë të përfshirë drejtpërdrejt në ushtrimin e presionit mbi vëzhguesit ndërkombëtarë për të ndryshuar raportin e parë paraprak. Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Këto janë zhvillime, jo pozitive, por ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën.”
Në përfundim, Berisha theksoi ndikimin rajonal dhe evropian të fenomenit që sipas tij, një shtet narkotik nuk është vetëm një kërcënim i madh për kombin ku ndodhet, por për rajonin dhe për Europën. Të dhënat e fundit tregojnë se kartelet shqiptare të drogës përcaktojnë çmimin e kokainës në të gjithë Europën. Vetëm një person, dy persona, u gjetën se në një vit kishin trafikuar 28 ton kokainë nga Paraguai në Roterdam dhe, mendoj, edhe në Antuerp dhe Belgjikë. Këto janë zhvillime, jo pozitive, por ne po mundohemi të bëjmë më të mirën tonë. Kjo është.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




