Komisioni i Sigurisë konstituohet, nis punën mes akuzave e thirrjeve për bashkëpunim
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes u konstitua këtë të mërkurë (1 tetor), nën drejtimin e Bledi Çuçit. Që në mbledhjen e parë pati debate mes opozitës dhe maxhorancës mbi kompetencat dhe rolin e tij.
Flamur Noka akuzoi se maxhoranca ka “cunguar” fushën e veprimit të komisionit, ndërsa Klevis Balliu ngriti alarmin për lidhjet e kartelave të drogës me politikën.
“Është bërë zhdukja e termit të sigurisë kombëtare. Pse? Sepse sigurinë kombëtare, narkosi sot, ja ka besuar karteleve”, tha Noka.
Në Shqipëri, kartelet njihen si biznesmen dhe ne kemi parë në këto vite edhe deputetë, të cilët sot janë pas hekurave, pikërisht për lidhje me këto kartele”, tha Klevis Balliu.
Nga radhët e socialistëve, Agim Malaj kërkoi që debati të mos degradojë në retorikë politike, ndërsa Romina Kuko theksoi rëndësinë e luftës kundër dezinformimit dhe kërcënimeve hibride.
“Mendoj që Komisioni duhet ta mbajë cik pjesën e nivelit pak më lartë, nuk duhet ti hyjë as raportit të Departamenit Amerikan të Shtetit sepse ne dimë se çfarë është raporti, nuk kemi nevojë ta diskutojmë këtu, ka kohë. Ne këtu jemi për konstituimin e komisionit sot”, tha Malaj.
“Përpos atyre që diskutohen, të ketë një fokus të veçantë në luftën hibride dhe në dezinformim”, tha Kuko.
Erald Kapri propozoi thirrjen e ministres së Brendshme dhe institucioneve të tjera për raportime mbi kriminalitetin dhe pastrimin e parave, duke e cilësuar këtë një rrezik për sigurinë kombëtare.
Në përmbyllje, kryetari Bledi Çuçi u shpreh se do të ketë hapësirë për çdo opinion, por diskutimet duhet të mbeten të disiplinuara dhe të përqendruara tek siguria kombëtare.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



