Flotilja humanitare e Gazës drejt konfrontimit, anije izraelite në afërsi

Tensioni është rritur ndjeshëm në orët e fundit teksa Flotilja Globale Sumud, me një duzinë anijesh që transportojnë ndihma humanitare drejt Rripit të Gazës, po i afrohet zonës së përjashtimit të shpallur nga Izraeli. Aktivistët në bord raportojnë për afrimin e anijeve ushtarake dhe dronëve izraelitë, duke e cilësuar kapjen e mundshme në ujërat ndërkombëtare si një “akt piraterie”.
Deputeti i Partisë Demokratike, Arturo Scotto, i cili ndodhet në bordin e Flotiljes, njoftoi se 12 anije të paidentifikuara po i afrohen grupit, rreth pesë milje larg. Ai theksoi se Flotilja tani është rreth 75-90 milje larg Gazës dhe se presin që Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) “së shpejti do të na kapin”.
“Do të na kapin në ujëra ndërkombëtare dhe ka të ngjarë të na arrestojnë. Do të ishte e paligjshme,” tha Scotto, duke shtuar se do të ndjekin rregullat e rezistencës pasive.
Meloni: “Papërgjegjshmëri të këmbëngulësh”
Zhvillimi i situatës ka nxitur reagime të ashpra nga krerët politikë.
Kryeministrja Italiane, Giorgia Meloni, në margjinat e Samitit të BE-së, e cilësoi lundrimin e Flotiljes si “të papërgjegjshëm”.
“Besoj se në këtë fazë, përballë asaj që do të ishte një mundësi historike [për paqe], duhet të kuptoj se këmbëngulja me një iniciativë që mbart një shkallë rreziku dhe papërgjegjësie,” deklaroi Meloni. Ajo sugjeroi gjithashtu se vuajtjet e palestinezëve “ndoshta nuk ishin përparësia” e atyre që janë në Flotilje.
Nga ana tjetër, Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez shprehu mbështetjen për misionin, duke thënë se Flotilja “nuk përbën rrezik ose kërcënim për Izraelin” dhe shpresoi që kryeministri Netanyahu ta marrë këtë parasysh.
Thirrjet për paqe dhe kërcënimet për kapje
Ministria e Jashtme Izraelite, përmes Ministrit Gideon Sa’ar, i bëri thirrje Flotiljes të dorëzojë ndihmën përmes porteve zyrtare ose të pranojë kompromisin për ta shpërndarë atë përmes Kishës, duke theksuar se: “Nuk është tepër vonë”.
Në të njëjtën kohë, Marina Izraelite, sipas mediave lokale, ka njoftuar se para se anijet të hyjnë në ujërat territoriale, do të bëjnë njoftime me altoparlantë për t’i nxitur aktivistët të kthehen prapa. Në rast refuzimi, ata do të ndalojnë anijet dhe do t’i transferojnë pjesëmarrësit në Izrael.
Ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Greqisë lëshuan një deklaratë të përbashkët duke i bërë thirrje Izraelit “të sigurojë sigurinë e pjesëmarrësve” dhe duke i kërkuar Flotiljes të pranojë ofertën e ndihmës së Patriarkanës Latine të Jerusalemit për të shmangur përshkallëzimin.
Ndërkohë, sindikalisti italian Maurizio Landini paralajmëroi se në rast të “bllokade, konfiskimeve [ose] arrestimeve” të aktivistëve, ai do të ishte gati të thërriste menjëherë një grevë të përgjithshme në të gjithë sektorët publikë dhe privatë.
Pavarësisht kërcënimeve, aktivistët, mes tyre ish-kryetarja e Bashkisë së Barcelonës, Ada Colau, konfirmuan se synimi mbetet mbërritja në Gaza për të hapur një korridor humanitar, duke theksuar se Izraeli po shkel ligjin ndërkombëtar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




