Indeksimi i pensioneve me 2,5%, eksperti i ekonomisë sqaron sa do të jetë rritja që do të përfitojnë pensionistët

Prej 1 tetorit, pensionet në Shqipëri do të indeksohen me 2.5%, çka nënkupton një rritje të përfitimeve mujore për të gjithë pensionistët. Eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli, i ftuar në emisionin “Tema e Ditës” me Arbër Hitajn në RTSH, sqaroi se sa do të jetë rritja reale për kategoritë e ndryshme të pensionistëve.
“Janë 91 mijë pensionistë në fshat që do të marrin 3 mijë lekë të vjetra shtesë në muaj. Brenda një viti, kjo shtesë arrin nga 36 deri në 40 mijë lekë të vjetra,” tha Çoçoli.
Për pjesën tjetër të pensionistëve, mbi 630 mijë persona, rritja do të jetë si më poshtë:
Pensionistët me pension mesatar prej 19000–21000 lekësh do të përfitojnë rreth 500 lekë shtesë në muaj.
Ata me pension prej 25000–30000 mijë lekësh të do të marrin deri në 700 lekë.
Pensionistët me përfitim deri në 35000 mijë lekë do të përfitojnë nga 800 deri në 870 lekë shtesë në muaj.
Çoçoli theksoi se ky indeksim është një detyrim ligjor dhe synon ruajtjen e fuqisë blerëse të pensionistëve.
Nga ana tjetër, ekonomisti Mateo Spaho argumentoi se indeksimi nuk është i mjaftueshëm për të përmirësuar realisht jetesën e pensionistëve.
“Pensionet me këtë rritje do të kenë të njëjtën fuqi blerëse që kishin vitin e kaluar. Por nëse duam ta rrisim fuqinë blerëse, duhet një përqindje më e lartë,” tha Spaho.
Ai theksoi se skema aktuale e pensioneve është defiçitare, me një mungesë prej rreth 500 milionë dollarësh që mbulohet nga buxheti i shtetit. Sipas tij, është e domosdoshme një reformë strukturore, ku kontributet e individëve të ruhen për përfitimin e tyre personal në të ardhmen.
“Sot kontributet tona i shkojnë pensionistëve aktualë, ndërsa kur ne të jemi në pension, supozohet që ata që do të punojnë të na paguajnë kontributet. Duhet një reformë ku secili të marrë kontributet që ka derdhur, por këto janë reforma të dhimbshme,” përfundoi Spaho.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




