Lamallari: Politikë kombëtare e menaxhimit të qëndrueshëm të tokës

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, në cilësinë e drejtuesit të Komitetit Ndërministror për Reformën e Sistemit të Menaxhimit të Integruar të Tokës, zhvilloi sot një takim me grupin e punës, ku morën pjesë edhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, si dhe ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj.
Gjatë takimit, u diskutua për hartimin e një politike kombëtare për menaxhimin e qëndrueshëm të tokës, me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Ministrat u angazhuan për të udhëhequr dhe zbatuar reformën, jo thjesht si një detyrim formal në kuadër të procesit të integrimit, por si një domosdoshmëri për të adresuar sfidat që lidhen me pronësinë, bujqësinë, zonat e mbrojtura dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri shkruan se, “Me mbështetjen e BE-së po përgatisim një politikë kombëtare të menaxhimit të qëndrueshëm të tokës, jo thjesht si përmbushja e një detyrimi formal në avancimin e procesit tonë integrues, por mbi të gjitha për të adresuar të gjitha sfidat që lidhen me çështjet e pronësisë, bujqësisë, zonave të mbrojtura dhe zhvillimit të qëndrueshëm,” u shpreh Lamallari.
Ai shtoi se puna për këtë reformë ka nisur dhe se në përfundim, Shqipëria do të ketë një dokument solid, gjithëpërfshirës dhe të pranuar nga Brukseli, që do të shërbejë si bazë për çdo plan zhvillimor në fazën e re ku ka hyrë vendi, por edhe për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla dhe ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, konfirmuan angazhimin e dikastereve që drejtojnë për të kontribuar në këtë reformë strategjike, duke e cilësuar tokën si një aset kyç për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për përmbushjen e standardeve evropiane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




