Abissnet Superiore në RTSH: Derbi Partizani-Tirana hap javën e gjashtë

Java e gjashtë e “Abissnet Superiore” do të luhet e ndarë në tre ditë, duke nisur të premten me derbin e kryeqytetit, Partizani – Tirana.
Të dyja skuadrat vijnë në këtë sfidë pas një nisjeje jo të mirë të kampionatit, por derbi mbetet derbi, dhe sfida më e zjarrtë e kampionatit shqiptar pritet me padurim nga të gjithë sportdashësit dhe tifozët e të dyja ekipeve.
Ndeshja do të luhet në “Air Albania” në orën 19:00, dhe tifozët mund t’i blejnë biletat online në ebileta.al ose në pikën fizike pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Ditën e ndeshjes, biletat do të mund të gjenden edhe pranë stadiumit “Air Albania”.
Të shtunën do të zhvillohen dy ndeshjet e tjera të javës së 6-të. Dinamo City – Flamurtari do të luhet në “Selman Stërmasi” në orën 15:30. Ndërsa në “Loro Boriçi” do të zhvillohet përballja direkte për kreun, Vllaznia – AF Elbasani. AF Elbasani udhëheq kampionatin deri tani, por kuqeblutë janë vetëm një pikë larg kreut.
Dy takimet e fundit të javës së 6-të janë programuar të dielën. Vora – Egnatia do të luhet në orën 14:00 në Laç, ndërsa Teuta – Bylis në “Niko Dovana” në orën 17:00.
Të gjitha ndeshjet do të transmetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




