“Ura” lidhëse e fëmijëve me artin, Emona Kraja, mësuesja që kontribuon në katër shkolla
Të jesh mësuese muzike në 4 shkolla 9-vjeçare nuk është vetëm sfidë që kërkon përkushtim, organizim dhe energji, por edhe një mision që mbart shumë dashuri për profesionin.
Emona Kraja e përmbush këtë mision duke u përcjellë fëmijëve pasionin për artin dhe magjinë e tingujve muzikorë.
“Është një punë impenjuese dhe kemi të bëjmë me fëmijë. Punohet me ta, ka talente që duhet të merresh me ta”, tha mësuesja.
Në programin e muzikës fyelli ka vend të veçantë, ky instrument i thjeshtë bëhet ura e parë e nxënësve me botën e notave.
“Instrumenti i fyellit është shumë i bukur për ta. Është një emocion i bukur, sidomos kur janë të gjithë në grup dhe bëjnë meloditë e thjeshta”, thekson ajo.
Mësimi i muzikës me fëmijët sjell gjithmonë kënaqësi sepse përveç mësimit shpesh zbulohen edhe talente të reja.
“Në fakt është një punë që e bëj me shumë pasion. Gjëja më e bukur është kur i sheh fëmijët, sidomos ato që spikasin edhe më shumë, e vazhdojnë talentin e tyre, marrin pjesë në audicione, marrin edhe çmime që krenohet i gjithë stafi ku unë punoj, por edhe prindërit”, tha mësuesja.
Muzika është e dashur për të gjithë dhe përmes saj fëmijët jo vetëm mësojnë por edhe rriten me dashuri për artin dhe jetën.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




