Rritja e çmimit të banesave, Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve: Është dyfishuar kosto e ndërtimit. Investitorët të interesuar për bregdetin

Fluksi i ndërtimeve po rritet me ritme të larta, kryesisht në Tiranë dhe zonat bregdetare, ku kërkesa është edhe më e lartë, por njëkohësisht me to, po rriten edhe çmimet e banesave.
Ekspertët theksojnë se tregu i banesave sot ndodhet në një fazë të re zhvillimi, por rritja e kostove dhe diferencat mes çmimeve referenciale dhe reale mbeten sfidat kryesore për qytetarët dhe investitorët.
Në emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH u trajtua zhvillimi i tregut të pasurive të paluajtshme, ku Erjon Arizi, Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, tha se rritja e ndjeshme e çmimeve vjen nga faktorë të shumtë, por mbi të gjitha nga kostoja e ndërtimit që është dyfishuar në pesë vitet e fundit.
“Ka disa faktorë për rritjen e çmimit, arsyeja është kosto e vetë ndërtimit është dyfishuar në 5 vitet e fundit. Sot kostoja e ndërtimit ka arritur në 550 euro për metër katror, nga 250 euro që ishte më parë. Ndërtimet sot janë në një epokë tjetër, me komplekse moderne dhe arkitektë ndërkombëtarë. Ato nuk kanë më asnjë ndryshim nga ndërtimet në Itali apo vende të tjera evropiane”, u shpreh Arizi.
Ai theksoi se interesi i investitorëve është përqendruar kryesisht në zonat bregdetare, nga Velipoja në veri deri në Sarandë në jug, ku turizmi dominon kërkesën.
“Interesi për investime kryesisht është në zonat e bregdetit ku dominon turizmi nga Velipoja deri në Sarandë. Tirana ka marrë dy drejtime zhvillimi, zona e bulevardit të ri për të dalë në Paskuqan dhe zona e unazës së re që po vete në Vorë që janë zona më të papërballueshme, zona e TEG-ut ka specifikë luksi, vila”, tha ai.
Nga ana tjetër, Dritan Leka, agjent imobiliar, vuri në dukje se çmimet e referencës së tregut ndryshojnë dukshëm nga ato të shtetit dhe ka ende shumë paqartësi sidomos për banesat e vjetra.
“Çmimet e referencës së tregut me ato të shtetit janë shumë të ndryshme dhe kemi ende paqartësi banesat e vjetra, nuk mund të kesh të njëjtin çmim referencial të një banesë e 2025 me ato të viteve ‘80 apo ‘90. Për çiftet e reja, blerja e parë bëhet për nevojë dhe zakonisht në zona më të përballueshme si Fresku, Lapraka, QTU apo Paskuqani. Më pas, me rritjen e të ardhurave, ata zhvendosen në zona më të mira,” tha Leka.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




