Rikthehen kontrollet në Morin-Vërmicë, në fundjavë dhe festa zyrtare, procedurë e përshpejtuar 

Aktualitet | 1 vit më parë

Rikthimi i procedurës së kontrolleve në kufi reflektohet menjëherë me kolona mjetesh, në pritje për të kaluar kufirin, si ata që udhëtojnë nga Kosova drejt Shqipërisë, por edhe nga Shqipëria drejt Kosovës.

Çdo qytetar i nënshtrohet kontrollit për dokumentet e identifikimit dhe dokumenteve për automjetin.

Procedura e kontrollit u aktivizua menjëherë pas përfundimit të sezonit të verës, nga 1 tetori, e do të jetë në fuqi për një periudhë njëmujore, ashtu siç është përcaktuar në marrëveshjen e përbashkët ndërqeveritare mes Shqipërisë e Kosovës.

Kolonat e mjeteve krijohen herë pas here, në varësi edhe të fluksit në dy anët e kufirit. Edhe pse një mot i paqëndrueshëm e me reshje shiu, fluksi ishte i dukshëm në Morinë.

Procedura e kalimit të lehtësuar të kufirit pa kontrolle ishte në fuqi nga 1 qershori përgjatë gjithë sezonit të verës, ku padyshim fluksi i qytetarëve dhe mjeteve është në shifra të larta.

Marrëveshja ndërqeveritare parashikon kalim të lehtësuar të kufirit e pa kontrolle për një periudhë 9- mujore, e vlefshme për automjetet me targa të Shqipërisë e Kosovës.

E njëjta procedurë aplikohet jashtë periudhës 9-mujore edhe për fundjavat dhe ditët e festave zyrtare.

Deri në qershor marrëveshja aplikohej vetëm në Pikën e Përbashkët Kufitare të Morinës si më e madhja, e më pas u përfshinë edhe pikat e tjera të kalimit kufitar në Qafë Morinë, Qafë Prush, Shishtavec e Borje.

Sipas marrëveshjes, përgjatë vijës kufitare janë në funksion të plotë edhe 22 vendkalime kufiri pa kontroll për banorët e brezit kufitar që shtrihen në një distancë prej 30 km.

Gazetar: Bujar Muçmata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme