Zgjedhjet në Tiranë, përplasje mes Alibeajt dhe Muçit për legjitimitetin e garës

Politikë | 1 vit më parë

Në debatin televiziv për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës, u përballën qëndrimet e ish-deputetit të PD-së, Enkelejd Alibeaj, dhe deputetit të Lëvizjes “Bashkë”, Redi Muçi, lidhur me legjitimitetin e procesit dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese.

Lëvizja “Bashkë”, e cila ka propozuar kryetarin e saj, Arlind Qori, për garën e 9 Nëntorit, mbrojti vendimin e saj për të marrë pjesë, pavarësisht akuzave për shkelje kushtetuese.

Muçi: Pjesëmarrja wshtë detyrë politike

Redi Muçi deklaroi se forca e tij politike do të marrë pjesë në zgjedhje, ndonëse pranon se ka një problem serioz institucional. Muçi kritikoi ashpër të gjitha strukturat për mosveprim:

“Janë 9 anëtarë të Kushtetueses që duhej të ishin ulur dhe të jepnin një qëndrim. Që nga momenti që Rama shpalli se do të ketë zgjedhje të gjitha strukturat janë vënë në lëvizje pa ruajtur distancën me politikën dhe pavarësinë institucionale, që nga Këshilli Bashkia, Presidenti deri dhe heshtja e Kushtetueses,” tha Muçi, duke nënvizuar mungesën e seriozitetit.

Ai theksoi se nga pikëpamja ligjore, dekreti i Presidentit për zgjedhjet është në fuqi, dhe detyra politike e Lëvizjes “Bashkë” është të hyjë në garë. Muçi madje ironizoi se: “Vetëm nëse fiton Arlind Qori, Kushtetuesja do të thotë ka të drejtë Erion Veliaj”.

Alibeaj: Pjesëmarrja legjitimon shkeljen

Në përgjigje të qëndrimit të Lëvizjes “Bashkë”, Enkelejd Alibeaj këmbënguli se pjesëmarrja në një proces të shpallur në shkelje të Kushtetutës është një gabim politik.

“Partitë që marrin pjesë në zgjedhje mund të çojnë në Kushtetuese një dekret që e konsiderojnë jokushtetues. Nëse merrni pjesë legjitimoni shkeljen e Kushtetueses,” i tha Alibeaj deputetit Muçi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme