Rama: Tokat e djegura, pa leje ndërtimi për 30 vite. Rritje pagash për zjarrfikësit. Ligj për sigurimin e banesave e bizneseve

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të shtunë (4 tetor) një plan të ri për transformimin e Forcës Zjarrfikëse, si pjesë e një kapitulli të ri për mbrojtjen civile.

Të pranishëm në këtë aktivitet që u zhvillua në Farkë ishin edhe Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.

Në fokus të këtij transformimi të Forcave Zjarrfikëse janë modernizimi, rritja e kapaciteteve dhe përfshirja e zjarrfikësve në skemën e rritjes së pagave të Forcave të Armatosura.

“Zjarrfikësit do të kalojnë në një nivel tërësisht tjetër vëmendjeje, trajtimi dhe mbështetjeje. Ata do të përfshihen në formulën e rritjes së pagave të Forcave të Armatosura, që sot janë dëshmitare të një rritjeje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme,” deklaroi Rama..

Kryeministri bëri me dije se në territoret e djegur nga zjarri, do të ndalohet ndërtimi për 30 vite. Sipas kryeministrit, çdo pjesë territori e djegur do të rimbillet.

“Kemi bërë ndërhyrje ligjore të rëndësishme që aty ku vihet zjarr do të ndalohet çdo lloj leje ndërtimi për 30 vjet. Pra, nëse një territor i cili është si të thuash hap oreks për të ndërtuar, për 30 vjet aty nuk do jepet leja e ndërtimit. Ta kenë të qartë të gjithë se djegia nuk të sjell në kushtet që të thuash se nuk ka pemë aty dhe dua të ndërtoj. 30 vjet do të ndalohet dhënia e lejes së ndërtimit dhe ai territor do rimbillet”, theksoi ai.

Kryeministri njoftoi nisjen e një reforme të prefekturave, e cila kërkon fuqizimin e kapaciteteve të bashkive dhe njësive administrative. Ai pati kritika për pushtetin vendor, teksa tha se në situata emergjente, përballet me mungesë koordinimi dhe qartësie.

“Ne kemi filluar të punojmë për një reformë të prefekturave, por kjo kërkon jo thjeshtë angazhimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të kapacitetit të prefekturave, por kërkon fuqizimin e mëtejshëm të kapacitete të bashkive dhe njësive administrative sepse vëmë re që kur vjen momenti i përballjes, nga ana e pushtetit vendor, forcave të organizuara në lokalitete ka shumë konfuzion. Ka pak koordinim, pak qartësi. Ndërkohë që dijenia për rolin dhe vendin ku e ke detyrën, duke qenë një përfaqësues i forcave civile në territor është e plotë. Kemi nevojë të rrisim këto kapacitete dhe kemi nevojë të forcojmë këtë koordinim,” u shpreh Rama.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij transformimi të mbrojtjes civile, Rama tha se do të jetë edhe teknologjia. Ai theksoi se flota e dronëve do të zgjerohet ndjeshëm, përfshirë dronë me kamera termike për monitorimin e pyjeve dhe sinjalizimin e hershëm të zjarreve, si dhe dronë për mbjellje në territoret e dëmtuara.

“Teknologjia, do të vazhdojmë të fuqizojmë flotën tonë. Së shpejti do të hapet fizikisht akademia e forcave ajrore dhe do të fillojë në Vlorë edhe përgatitja e pilotëve të rinj. Do të shtojmë në mënyrë të ndjeshme flotën e dronëve. Kemi përgatitur dhe jemi duke u marrë çdo ditë qoftë me porositjen e dornëve me kamera termike për të monitoruar pyjet dhe për të kapur sa më shpejt sinjalin e zjarrit, ashtu sikurse jemi duke parë porositë e dronëve që bëjnë mbjellje sepse duhet të mendojmë për ripërtëritjen e territoreve që digjen nga zjarret. Patjetër që hap pas hapi ta pasurojmë flotën edhe me avionë zjarrfikës. Kemi filluar punën për sistemet e hershme të alarmit, duke krijuar qendrat e integruara të kontrollit për reagim të shpejtë me mjete tokësore. Sot zjarret janë në horizont, por koha deri kur të përballemi me to është shumë e çmuar  dhe nuk është e gjatë është e shkurtër dhe të gjithë duhet të bëjmë punën tonë”, theksoi Rama.

Rama njoftoi se në bashkëpunim me Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit dhe zjarrfikësit, do të angazhohen edhe shkollat për komponentin edukativ.

“Do të angazhojmë edhe shkollat, në bashkëpunim me strukturat në territor, të Forcave të Armatosura të Policisë së Shtetit dhe të zjarrfikësve që do të kenë edhe një komponent të edukimit. Të vizitave nëpër shkolla, demonstrimeve që janë informuese për fëmijët. Kam parasysh nxënësit e shkollave të mesme që duhet të përfshihen në këtë proces, por edhe më të vegjlit që duhet të ndërgjegjësohen për domosdoshmërinë që të jemi të gjithë të qartë se me çfarë kemi të bëjmë”, deklaroi ai.

Po ashtu, kreu i qeverisë ka konfirmuar se të gjithë qytetarët që kanë humbur banesat apo krerë bagëtish nga zjarret e fundit do të dëmshpërblehen në mënyrë të plotë, me akt normativ që pritet të miratohet së shpejti.

“Angazhimi moral dhe ligjor do të mbahet pikë për pikë,” tha Rama, duke siguruar se inventari i dëmeve është përfunduar dhe kompensimi do të jetë qindarkë për qindarkë.

Ai njoftoi gjithashtu se do të sanksionohet me ligj skema e re e sigurimit të banesave dhe bizneseve ndaj fatkeqësive natyrore. “Ka ardhur koha t’i bashkohemi vendeve të tjera europiane, duke i dhënë mundësi çdo qytetari që me një kontribut modest të jetë i siguruar ndaj përmbytjeve, zjarreve dhe emergjencave të tjera,” u shpreh Kryeministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme