Përmirësohet moti në verilindje, ndërpriten reshjet, temperaturat pësojnë rritje

Në verilindje të vendit, dita e sotme ka nisur me një përmirësim të dukshëm të kushteve të motit. Gjatë mbrëmjes së kaluar, reshjet e shiut dhe të dëborës në zonat malore u ndërprenë, duke u lënë vendin rritjes graduale të temperaturave dhe hera-herës edhe kthjellimeve.
Në zonat malore ka nisur të shkrijë edhe një sasi e konsiderueshme e dëborës. Sipas Shtabit të Emergjencave Civile në prefekturë, situata është përmirësuar ndjeshëm dhe nuk raportohen probleme. Në komunikatën për shtyp thuhet se të gjitha rrugët janë të qarkullueshme dhe pa probleme, përjashtuar prezencën e gurëve dhe inerteve në disa segmente të rrugës Kukës–Shishtavec, Kukës–Fushë Arrëz e Kukës–Peshkopi, Margegaj–Valbonë, Ushaj–Lekbibaj etj.
Kompanitë sipërmarrëse dhe bashkitë respektive po punojnë në terren për pastrimin e tyre dhe normalizimin e qarkullimit edhe në këto segmente rrugësh. Defektet në rrjetin e transmetimit të energjisë të tensionit të mesëm dhe të ulët janë riparuar në pjesën më të madhe të zonave ku kishte probleme, në Kukës, Has e Tropojë.
Grupet e punës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë janë në terren për të bërë të mundur rikthimin e energjisë edhe në zonat ku mungon, në një pjesë të familjeve në fshatrat e njësisë administrative Topojan. Po kështu, sipas njoftimit të Shtabit të Emergjencave Civile, Bashkia e Tropojës me grupet e punës është vënë në dispozicion të banorëve që mbetën të izoluar ditën e djeshme në bjeshkët e Javorrit të njësisë administrative Fierzë.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se komunikimi me ta ka qenë i vazhdueshëm dhe, fatmirësisht, nuk kanë pasur probleme përsa i përket strehimit, ngrohjes dhe ushqimit. Pavarësisht reshjeve të shiut dhe dëborës në zonat malore, ndikimi në situatën hidrike ka qenë i papërfillshëm.
Prurjet në burimet kryesore që furnizojnë ujësjellësin e Kukësit, Kolosjan–Lojmë, mbeten ende të ulëta për shkak të thatësirës gjatë verës e muajit shtator, duke mos ndikuar kështu edhe në orarin e kufizuar të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët e Kukësit e 14 fshatrave, në një mesatare 3 deri 4 orë gjatë 24 orëve. Edhe në liqenin e Fierzës nuk ka shtim të prurjeve. Drini i Bardhë dhe Drini i Zi sjellin më pak se 45 metër kub ujë në sekondë, duke mos dhënë efekte në rritjen e nivelit, i cili mbetet nën 270 metra mbi nivelin e detit. Në orët dhe ditët në vijim, sipas parashikimeve të MeteoAlb, do të kemi përmirësim më të dukshëm të kushteve të motit, me rritje të temperaturave deri në 22 gradë Celsius.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




