Pasioni për kuajt, Shishtaveci ka kapacitetet për qendër hipizmi

Aktualitet | 1 vit më parë

Kuajt në Bjeshkët e Kallabakut në Shishtavec janë një pasuri jashtëzakonshme e këtyre anëve. I kanë vënë emrin Paton dhe është një prej kuajve të racës më të mirë të vendit. Është rritur në bjeshkët e Kallabakut, por prej vitesh trajtohet dhe aktivizohet pranë Federatës Shqiptare të Hipizmit.

Arjan Rugji, anëtar i Federatës, thotë se Patonin e sjellin çdo verë në vendlindjen e tij. Ai thotë se kuajt e fisnikërojnë njeriun.

“Duke qenë se vera në Tiranë është e nxehtë dhe e sikletshme për kuajt, këtu vjen dhe rinovohet në ajrinë  pastër dhe me një kullotë natyrore të cilësisë së lartë. Tani i nënshtrohet një sezoni stërvitor dhe futet në disiplinë. Kali e fisnikëron njeriun. Ai njeri që di të sillet me të dhe di ta trajtojë si me dashuri dhe kujdes ai vërtet bëhet fisnik”, tha ai.

Shishtaveci renditet ndër trevat që kanë traditë në aktivitetet me kuajt, ndaj shpreson që të kthehet në një qendër rajonale të hipizmit.

“Federata organizon rregullisht aktivitete sportive dhe do ishim të lumtur që Shishtaveci, që ka trashëgimi të sporteve me kuaj, të ishte epiqendra e veriut për ta ringritur këtë sport”, tha ai.

Kuajt në Bjeshkët e Kallabakut janë një pasuri jashtëzakonshme e këtyre anëve, dhe interesi për trajtimin e tyre, si dhe për aktivitetet e tilla, do t’i japin një dimension tjetër zhvillimit të turizmit.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme