Skautë nga e gjithë bota në Shkodër me Koncilin Federal të Guidave dhe Skautëve të Europës
Për herë të parë në Shqipëri u organizua Koncili Federal i Guidave dhe Skautëve të Europës, organi më i lartë drejtues i kësaj organizate.
Dita e dytë e aktivitetit u përmbyll në Shkodër, në Fshatin e Paqes, në Tarabosh. Ky takim mblodhi drejtues dhe anëtarë nga e gjithë Europa dhe për herë të parë nga Amerika dhe Kanadaja, për të diskutuar zhvillimin, programet dhe strategjitë e ardhshme të skautizmit dhe guidave.
“Skautizmi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për fëmijët tanë. Ai u ofron atyre mundësinë të rriten në miqësi, të marrin përgjegjësi dhe të thellojnë besimin e tyre katolik. Ai i mëson të ndihmojnë të afërmit e tyre jo sepse duhet, por sepse duan ta bëjnë këtë. Përmes skautizmit, ata zbulojnë gëzimin e gatimit për njëri-tjetrin, të kujdesit për njëri-tjetrin, të argëtimit, të të qenit aktiv dhe të jetesës me një qëllim. Sot, shumë të rinj ndihen të humbur pyesin veten: “Pse jam këtu? Cila është vlera ime?” Skautizmi ndihmon për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve. Ne u japim atyre mundësinë të mësojnë aftësi të reja emocionuese dhe të zhvillohen në mënyra që nuk i kishin imagjinuar kurrë. Ashtu siç ndodh në Kanada apo në Francë, edhe ne përpiqemi t’i ndihmojmë fëmijët tanë të bëhen versioni më i mirë i vetes së tyre, të jenë gati të kontribuojnë në shoqëri dhe të kuptojnë qëllimin e tyre në të, në vend që të ndihen të humbur,” tha Paul Ritchie, kryetar i Federatës së Skautëve në Kanada.
“Vij nga Belgjika. Erdha në vitin 1997 për të ndërtuar kampe me të rinjtë në Shqipëri. Gjeta një Shqipëri dhe të rinj shqiptarë që kishin nevoja në një vend të vuajtur shumë. Të rinjtë tanë sot janë ndërtuesit e së nesërmes. Mendoj se është thelbësore ndërtimi i një vendi,” u shpreh Claire Desplaines nga Federata e Skautëve në Belgjikë.
“Jemi 75 mijë skautë dhe guida në mbarë botën, në Europë dhe Amerikë. Mendoj se për mua, rëndësia kryesore e skautizmit, të paktën e skautizmit tonë në botë, është se falë tij, falë aventurave në natyrë, ne nuk shohim vetëm aftësitë e fëmijëve, gjë që është e rëndësishme, por përveç edhe luajmë me ta, u besojmë fëmijëve të rinj, të cilëve sot u duhet besuar. Gjithashtu, shumë e rëndësishme, i largojmë ata nga telefonat e tyre. Ata shohin kaq shumë vlera të gabuara që përhapen përmes rrjeteve sociale dhe ne thjesht i heqim nga telefonat, shkojmë në natyrë, luajmë me ta, ecim me ta, flasim me ta,” shtoi Nathalie Flamma, Komisionerja Federale e Skautëve në Europë.
Ky koncil është një mundësi e rëndësishme për të promovuar vlerat e edukimit jashtëshkollor, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zhvillimin personal të të rinjve përmes skautizmit, duke i përgatitur ata si qytetarë të përgjegjshëm dhe liderë të së ardhmes.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




