Bashkia e Fierit me drejtues të rinj, zyrtarizohen emrat e nënkryetarëve dhe e Sekretarit të Përgjithshëm
Reforma në burimet njerëzore dhe niveleve drejtuese në Bashkinë e Fierit ka arritur fazën përmbyllëse. Sot (6 tetor) drejtuesja politike e qarkut të Fierit dhe njëherazi zëvendëskryeministrja Belinda Balluku prezantoi katër nënkryetarët e rinj dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë së Fierit.
Mes emrave që u emëruan nënkryetarë të bashkisë janë zyrtarë dhe politikanë që nuk kanë qenë më herët pjesë e administratës vendore, sikurse janë dy ish-deputetët socialistë Nusret Avdullai dhe Mirela Pitushi, si dhe kandidati për deputet, Mariglen Hoxha.
Erald Qirio, aktualisht administrator i Njësisë Administrative Qendër, u emërua nënkryetar i bashkisë së Fierit. Në postin e Sekretarit të Përgjithshëm është emëruar Niko Neço, ish-drejtor prokurimesh në Bashkinë e Fierit.
Në fjalën e saj pas takimit, Balluku deklaroi se nevojitet një riorganizim dhe ndarje e mirë e detyrave.
“Sot ishte një ditë e shënuar, për të thënë të drejtën për Bashkinë e Fierit. Sapo prezantuam katër nënkryetarët e rinj. Kemi nisur një proces me kryetarin prej disa muajsh për një riorganizim të mirëfilltë të bashkisë. Pikërisht, ajo që thamë në takimin me punonjësit është që pas një pune shumë të mirë që është bërë këtu në Fier, duhet thënë që Fieri ka ndryshuar katërçipërisht dhe është normale që ti sa më shumë punon, sa më shumë ngre, aq më shumë rritet kërkesa e qytetarëve. Për këtë arsye, duhet një riorganizim i thellë dhe një ndarje e mirë e detyrave, digjitalizimi i proceseve të bashkisë së Fierit dhe mbi të gjitha transparencë për qytetarët, diçka që kërkohet kudo sot në administratën publike dhe lokale. Besoj që me grupin e nënkryetarëve për Armandon puna do të jetë më e thjeshtë, territoret do të jenë më të mbuluara dhe qytetarët do të jenë më afër administratës lokale“, u shpreh Balluku.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




