Lëvizjet në doganën e Morinit, nga 1 tetori është rikthyer kontrolli i dokumenteve në kufi

Aktualitet | 1 vit më parë

Prej një jave marrëveshja për lëvizjen e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës në pikën kufitare Vërmicë–Morinë është pezulluar përkohësisht. Sipas autoriteteve, gjatë kësaj periudhe  e cila pritet të zgjasë deri në fillim të nëntorit është rikthyer kontrolli i plotë kufitar për qytetarët dhe automjetet që kalojnë në të dy drejtimet. Udhëtarët dhe drejtuesit e mjeteve po i nënshtrohen tashmë verifikimeve të rregullta në të dy pikat e kalimit. Qytetarët e Kosovës theksojnë se, për të kaluar kufirin, kanë pritur mesatarisht 10 minuta.

Pavarësisht reshjeve të shiut dhe uljes së temperaturave, fluksi i udhëtarëve nga Kosova drejt Shqipërisë ka vijuar normalisht gjatë fundjavës por dhe mëngjesin e sotëm. Qytetarë të intervistuar në pikën kufitare Morinë shprehen se janë nisur drejt Tiranës dhe Shëngjinit, kryesisht për punë  apo qëllime turistike.

“Po ikim për Tiranë por kemi 10 minuta që po presim”, tha një qytetar.

Për fundjavën që lamë pas, fluksi i lëvizjes në pikën kufitare Morinë ka qenë i lartë, me një numër të konsiderueshëm hyrjesh dhe dalje nga të dy anët e kufirit. Sipas të dhënave zyrtare nga policia kufitare Morinë në 24 orët e fundit janë regjistruar 9,642 hyrje shtetasish dhe 3,456 hyrje automjetesh, si dhe 15,275 dalje shtetasish dhe 5,358 dalje automjetesh.

Gazetare: Shkurte Elezaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme