Dhoma e Avokatisë, Këshilli Shqiptar i Helsinkit dënojnë vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja: Godinat e drejtësisë të merren në mbrojtje

Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Këshilli Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka dënuar aktin e paprecedentë në sallën e gjyqit, me pasojë vdekjen e gjyqtarit Astrit Kalaja.
“Kjo ngjarje është gjithashtu një goditje për të gjithë sistemin e drejtësisë dhe shtetin e së drejtës. Kjo ngjarje, për këdo, është një thirrje alarmi për sigurinë: së pari të jetës dhe shëndetit të kolegëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe njëkohësisht një thirrje edhe për avokatët për thellimin e punës në ndërgjegjësimin e palëve në proceset penale, civile dhe administrative, për çfarë u takon ligjërisht dhe për pritshmëritë në proceset ku ata përfaqësojnë palët,” thuhet në deklaratën e kryetarit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia.
Organizata joqeveritare, KShH-ja, e cila e ka fokusin të mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në një deklaratë për shtyp po ashtu shprehu ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e gjyqtarit Kalaja.
“Ky akt i urrejtshëm është gjithashtu një manifestim i rëndë presioni ndaj organeve te drejtësisë. KShH shpreh solidaritet të plotë me trupën gjyqësore në vendin tonë. Në të njëjtën kohë, KShH u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që marrin në mbrojtje godinat ku ushtrojnë detyrën funksionarët e sistemit të drejtësisë të rrisin vigjilencën dhe të japin llogari për aktin e paprecedentë që mori jetën e një gjyqtari në ambientet e gjykatës. KShH i sugjeron organit të prokurorisë hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm për të zbuluar jo vetëm motivin e vërtetë të kësaj ngjarje, por edhe përgjegjësinë e personave për të kontrolluar sipas rregullave të sigurisë, ata që hyjnë në këto ambiente,” theksoi KShH-ja.
Mbrojtja e gjyqtarëve, prokurorëve dhe e institucioneve të drejtësisë është thelbësore për shtetin e së drejtës, rendin kushtetues dhe sigurinë publike, shtoi organizata joqeveritare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




