Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja-Gjykata e Elbasanit: Kambanë alarmi për sigurinë e gjyqtarëve

Trupa Gjyqësore e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka shprehur tronditjen e thellë për ngjarjen e rëndë që i mori jetën gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Astrit Kalaja, e ndodhur sot rreth orës 15:00 brenda ambienteve të gjykatës.
Në një deklaratë zyrtare, gjykata e konsideroi këtë incident si një kambanë alarmi për sigurinë e gjyqtarëve dhe institucioneve të drejtësisë në vend.
“Kjo ngjarje është një kambanë alarmi për situatën e sigurisë me të cilën përballen sot gjyqtarët dhe institucionet e drejtësisë në vend. Mungesa e mbrojtjes së duhur, denigrimi i figurës së gjyqtarit dhe mungesa e respektit për autoritetin gjyqësor janë fenomene që cënojnë drejtpërdrejt jo vetëm individët që shërbejnë në këtë sistem, por edhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë,” theksohet në deklaratë.
Gjykata nënvizon se trupat gjyqësore punojnë me përkushtim dhe përgjegjësi në një nga funksionet më të ndjeshme të shtetit të së drejtës, duke merituar mbështetje institucionale, respekt publik dhe, mbi të gjitha, një nivel sigurie që u mundëson të ushtrojnë detyrën pa frikë.
Deklarata bën thirrje për veprime të menjëhershme nga shteti.
“Shteti ka detyrimin të garantojë që jeta dhe puna e çdo gjyqtari të jetë e mbrojtur. Vetëm kështu drejtësia mund të përmbushë misionin e saj themelor në një shoqëri demokratike,” shton ajo.
Gjykata shpreh gjithashtu ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët dhe gjithë komunitetin e drejtësisë për këtë humbje të rëndë.
“Trupa Gjyqësore e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve si dhe gjithë komunitetit të drejtësisë për këtë humbje të rëndë,” përfundon deklarata.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




