Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, Hazizaj: Goditje ndaj gjithë sistemit të drejtësisë, siguria publike ka rënë
Avokati Sokol Hazizaj, në një lidhje direkte me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, ka reaguar në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Hazizaj theksoi se vrasja është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë së funksionarëve të drejtësisë në vend.
“Thjeshtazi ajo është e parashikuar në Kodin Penal për vrasjen me dashje dhe funksionarëve publikë, që parashikon dënime shumë të rënda që shkon deri në dënimin e përjetshëm. Kjo është një nga marzhet më të rënda që parashikon Kodi Penal, neni 79, sa i përket dënimit të kësaj vepre penale. Themeli i ndryshimeve ligjore ka qenë në 2017-ën. Shteti është investuar për të frenuar, të gjitha veprat penale ndaj funksionarëve që janë në ushtrim të detyrës së tyre.
Situata në të cilën ndodhemi, e cila vjen për pasojë të vrasjes së një gjyqtari në ushtrim të detyrës së tij, është një situatë e rëndë e cila kërkon të vlerësohen shumë aspekte, rrethana, qoftë edhe me paragjykimin që kanë qytetarët shqiptarë ndaj drejtësisë, ka të bëjë dhe me polarizimin politik që ka Shqipëria, presionin politik që ushtrohet ndaj gjykatave, punonjësve të drejtësisë, rolin e medieve, dhe i gjithë ky kompleks faktorësh, e ka bërë aktorin që merret me drejtësinë të jetë në këndin e fundit për t’u trajtuar në mënyrën si ai shërben”, deklaroi ai.
Avokati theksoi se vrasja e një avokati në krye të detyrës nuk është vetëm një ngjarje e izoluar, por një goditje ndaj gjithë sistemit të drejtësisë.
“Kjo nuk është thjesht vrasje e një individi, por një akt kundër një pushteti. Gjyqtarët dhe prokurorët prej kohësh ndihen të pambrojtur, nën presion politik, mediatik dhe shoqëror,” u shpreh Hazizaj.
Sipas tij, ky është një moment reflektimi për gjithë shoqërinë dhe institucionet. Ai ngriti shqetësimin se ndjenja e pasigurisë dhe mungesa e mbështetjes po e zbehin pavarësinë dhe motivimin e profesionistëve të drejtësisë.
“Nëse një gjyqtar apo një avokat ka frikë për jetën, si mund të ushtrojë ai detyrën me paanësi dhe kurajë? Sot ata ndihen më të frikësuar se kurrë,” tha avokati.
Në fund, Hazizaj shprehu bindjen se drejtësia do të veprojë shpejt në këtë rast dhe se autoritetet duhet të japin një përgjigje të fortë dhe të qartë, për të rikthyer besimin dhe sigurinë në sistemin e drejtësisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




