Kurti reagon ndaj deklaratave të Vuçiqit: Serbia po ndërhyn rëndë në zgjedhjet lokale në Kosovë, ftojmë BE të sanksionojë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe veprimeve të vazhdueshme nga aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë të Serbisë, të cilat i ka cilësuar si ndërhyrje serioze në procesin zgjedhor komunal të tetorit në Kosovë.
Gjatë mbledhjes së qeverisë në detyrë, ai ka kërkuar reagim dhe sanksionim nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe ka renditur edhe deklarimet e fundit të presidentit të Serbisë.
“Premtimet për vende pune, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale, deklarimet e zyrtarëve të lartë të Serbisë se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundmi ish-kryeministri i Serbisë, tash këshilltari i presidentit atje, Millosh Vuçeviq janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë”, ka thënë Kurti sot në mbledhjen e qeverisë në detyrë.
Duke cituar raportin e misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet e shkurtit në Kosovë, Kurti tha se ndërhyrja e Serbisë në Kosovë është më e rëndë se ajo e Rusisë në zgjedhjet në Europë.
Në këtë kontekst ai e ka quajtur këtë ndërhyrje në procesin komunal zgjedhor si cenim të demokracisë dhe sovranitetit.
“Misioni për vëzhgimin e BE-së në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 kishte evidentuar një sërë ndërhyrjesh të Serbisë në zgjedhjet tona. Ndërhyrja në zgjedhjet e shteteve të tjera është një formë e qartë e cenimit të demokracisë dhe sovranitetit të atij shteti”-u shpreh Kurti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




