Avokati Ylli Kamberi: Konfliktet e pronës nuk zgjidhen me armë, por me reformë institucionale dhe me ligj

Aktualitet | 1 vit më parë

I ftuar në RTSH 24, avokati dhe ndërmjetësuesi Ylli Kamberi komentoi ngjarjen tragjike të një dite më parë, ku humbi jetën gjyqtari Astrit Kalaja, duke e cilësuar si një atentat jo vetëm ndaj një përfaqësuesi të drejtësisë, por ndaj vetë shtetit.

“Sot kemi një dëshmor në detyrë, gjyqtarin Astrit Kalaja. Por në fakt, atentati është ndaj shtetit dhe mënyrës sesi janë trajtuar të gjitha problemet dhe konfliktet e pronës,” tha Kamberi.

Ai theksoi se gjyqtari nuk është zgjidhësi i konfliktit, por vetëm një hallkë në zinxhirin institucional.

“Mund të mos jesh dakord me mënyrën se si e ka dhënë vendimin, por nuk mund të vrasësh gjyqtarin sepse mungojnë 200 shkresa në dosje. Qytetari, derisa i është drejtuar gjykatës, duhet të pranojë çdo vendim që jep gjyqtari. Por jo në këtë mënyrë, me armë zjarri ndaj një përfaqësuesi të shtetit,” u shpreh ai.

Kamberi theksoi se problemi nuk qëndron te gjyqtari, por te institucionet që merren me administrimin e pronave, si Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

“Qytetari ka pasur një vërtetim origjine pronësie. Nëse ky vërtetim është i pavërtetë, i rremë apo i falsifikuar, ka qenë detyrë e organeve shtetërore ta hetojnë.“

Sipas tij, çështja e pronave nuk ka marrë një zgjidhje thelbësore që prej vitit 1992.

“Ne nuk e dimë çfarë është prona. Në asnjë libër juridik, në asnjë vendim gjyqësor nuk ka një përkufizim për pronën. Kemi përkufizim për pronësinë, por jo për pronën, sepse janë gjëra të ndryshme,” tha ai.

Duke iu rikthyer ngjarjes së djeshme, Kamberi sqaroi se xhaxhai i autorit të vrasjes kishte një certifikatë pronësie, një titull që u zhvlerësua nga gjykata, përmbarimi dhe institucionet e tjera.

“Nga të gjithë aktorët nuk është diskutuar mbi vërtetësinë apo bazueshmërinë e këtij vendimi,” tha ai, duke shtuar se shumë të dhëna janë marrë nga faqja e Gjykatës Kushtetuese, ku Gjon Shkambi i është drejtuar për ekzekutimin e vendimit.

Sipas avokatit, Gjykata Kushtetuese nuk e kaloi çështjen në seancë plenare, pasi nuk ishin djegur etapat e mëposhtme.

Ai kritikoi Bashkinë Shkodër, e cila në vitin 1992 u dha të drejtën disa banorëve për të banuar në godinë.

“Bashkia nuk arriti ta regjistronte këtë dokument në Regjistrin e Pronave,” tha ai.

Kamberi shtoi se,“qytetari Gjon Shkambi kishte një vërtetim origjine pronësie, i cili duhej të ishte regjistruar në Hipotekë. Ndërkohë, poseduesit aktualë të banesave e regjistruan pronën me të njëjtin numër pasurie dhe në të njëjtin objekt. “Çfarë ndodh në Hipotekë? Së pari, është detyra e Parlamentit për të dhënë konceptin se çfarë është prona. Duhet të specifikohet qartë se çfarë garanton shteti dhe çfarë nuk mund të preket,” tha ai.

Avokati propozoi ngritjen e një skuadre specialistësh për procesin e kthimit të pronave dhe reformimin e profesionit të ndërmjetësit, i cili sipas tij është korruptuar dhe kthyer në sekser.

“Ndërmjetësimi ishte një nga balancat e sistemit, një amortizator i konflikteve. Por sot është deformuar. Dhoma e Ndërmjetësve doli krejt e pavarur dhe pa kontroll,” tha ai.

Në përfundim, Kamberi theksoi se, “nëse kjo hallkë do të funksiononte siç duhet, sistemi do të kishte trajtuar çështjen në mënyrë të paanshme dhe ndoshta do të ishte shmangur një tragjedi e tillë”.

Ai bëri thirrje për reformë të thellë institucionale dhe përkufizim të qartë të konceptit të pronës, si mënyra e vetme për të zgjidhur konfliktet dhe për të shmangur ngjarje të dhimbshme si ajo e humbjes së gjyqtarit Kalaja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme