Trialog në RTSH- Gazetarja: Vrasja e gjyqtarit Kalaja, ngjarja më e rëndë në tre dekadat e fundit
Gazetarja Klodiana Lala e ka cilësuar vrasjen e gjyqtarit, Astrit Kalaja si një nga ngjarjet më tronditëse dhe të rënda të ndodhura në Shqipëri në 30 vitet e fundit. E ftuar në emisionin Trialog në RTSH, Lala theksoi se kjo ngjarje ka tronditur jo vetëm sistemin e drejtësisë, por të gjithë opinionin publik, për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme në të cilat ndodhi.
“E para, sepse është vrarë një gjyqtar i Republikës, i cili jep vendime në emër të saj. E dyta, krimi ka ndodhur në sallën e gjyqit, aty ku duhet të jepet drejtësi, jo të dëgjohen krisma armësh. Së treti, kemi të bëjmë me një drejtësi të mohuar në një rast konkret që zgjat prej 33 vitesh,” u shpreh gazetarja.
Duke iu referuar konfliktit mes familjes Shkambi dhe autoriteteve, Lala tha se sipas saj, kjo është një histori që ngre shumë pikëpyetje mbi funksionimin e institucioneve shtetërore dhe sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
“Historia e familjes Shkambi është një histori, mendoj, korrupsioni, paaftësie, një histori shurdhuese e institucioneve shtetërore. Ka shumë pikëpyetje se si është marrë ajo pronë, si janë futur ato 31 familje në atë godinë,” tha ajo.
Gazetarja shtoi se problemi nuk qëndron vetëm tek ky rast, por është pasqyrë e një fenomeni të përhapur në sistemin e drejtësisë.
“Fakti që procesi zgjat prej kaq shumë vitesh dhe nuk është i vetmi tregon për një zvarritje të tejzgjatur të proceseve gjyqësore. Aktualisht, në Gjykatën e Apelit numërohen mbi 40 mijë çështje që presin në radhë për t’u shqyrtuar,” theksoi Klodiana Lala në Trialog.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




