Paçarizi: Politika në Kosovë po fiton kohë për zgjedhjen e Presidentit. Ka një frikë se Trump do i thërrasë dhe do u ofrojë zgjidhjen me Serbinë
Ndërsa këtë të diel (12 tetor) qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e rinj në pushtetin lokal, vendi vazhdon të mbetet në një ngërç politik që ka nisur që prej zgjedhjeve parlamentare të pranverës.
Kosova ende drejtohet nga një qeveri në detyrë me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa strukturat e reja drejtuese dhe qeveria e re nuk kanë marrë ende votëbesimin.
Në sfondin e këtyre zhvillimeve, qëndron edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, e cila pritet të jetë përcaktuese për stabilitetin institucional dhe politik në muajt në vijim.
Profesor Rrahman Paçarizi, në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, e cilëson fushatën për zgjedhjet lokale si të qetë, të qartë dhe cilësore.
“Kemi pasur një fushatë më të zgjatur se zakonisht, por që është karakterizuar nga cilësia e debatit dhe ofertat konkrete për qytetarët. Kandidatët kanë qenë seriozë dhe është shmangur gjuha e ashpër politike. Kjo është e pazakontë për një kohë kaq të tensionuar politikisht”, deklaron Paçarizi.
Megjithatë, ai shton se kriza politike vijon të mbetet e thellë.
“Zgjedhjet lokale po zhvillohen në një klimë bllokade që nuk ka ndodhur më parë. Zvarritja e konstituimit të institucioneve lidhet edhe me përpjekjen për të gjetur një formulë për zgjedhjen e Presidentit. Pa një President të ri, çdo qeveri do të ishte e përkohshme dhe jofunksionale”, shton ai.
Ngërçi institucional dhe shtyrja e vendimeve kyçe sipas profesor Paçarizit, shihet edhe si një taktikë politike për të fituar kohë në funksion të zgjedhjes së Presidentit të Republikës në pranverë.
Ai theksoi gjithashtu se, zvarritja lidhet gjithashtu edhe me frikën e Kosovës për ndërhyrjen amerikane në procesin e dialogut Prishtinë-Beograd.
“Kjo zvarritje e proceseve ka dy arsye: po përpiqen që rrugës të gjejnë formulën për të zgjedhur presidentin.
Pa zgjedhjes së presidentit cilado qeverisje do ishte e përkohshme., dhe një qeveri që zgjat deri në mars, nuk do ishte qeveri efektive. Kushdo që do merrte pushtetin, do rrezikonte të hynte në procese të tjera në raport me bashkësinë ndërkombëtare dhe me dialogun me Serbinë apo implementimin e marrëveshjeve me Serbinë që përbën dhe arsyen e dytë të zvarritjes.
Paqartësia lidhur me një qëndrim eventual amerikan, sepse në Kosovë ka një frikë se një ditë presidenti Trump do thërrasë dhe do u ofrojë zgjidhjen dhe nga kjo ka frikë të gjithë liderët e Kosovës dhe po shohim një lloj mungese të veprimit qoftë nga pushteti, qoftë nga opozita për të ndërtuar institucionet e reja.”, theksoi profesori.
Përtej zhvillimeve të brendshme, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë vijojnë të marrin vëmendje. Profesor Paçarizi i quan këto dy vende “shtete motra”, por sipas tij, aktualisht ato po kalojnë një “dimër të ftohtë politik”.
“Unë mendoj se Kosova dhe Shqipëria po e përjetojnë dimrin me të drejtë. Është rezultat i disa kapriçove politike para së gjithash të kryeministrit Kurti i cili s’mund të pranojë jo ndonjë lloj epërsie, apo barazinë.
Kosova duhet të ketë parasysh që Shqipëria është një shtet me një traditë të gjatë, me një diplomaci të konsoliduar dhe po përjeton një zhvillim ekonomik dhe tjetër. Interesi i dy vendeve Kosovë-Shqipëri është të ketë bashkëpunim normal. Ky bashkëpunim është ofruar në mënyrë të drejtë nga Shqipëeria, sado që kryeministri i Shqipërisë ndonjëherë mund të prekë sedrën e ndonjë udhëheqësi provincial të Kosovës. Kjo nuk guxon të ndodhë, sepse kjo po ndodh për herë të parë në marrëdhëniet mes Kosovës e Shqipërisë.” deklaron Paçarizi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




