I jepet lamtumira e fundit gjyqtarit Astrit Kalaja, homazhe në nder të tij. Kolegët: “Gjyqtarët duan siguri që të japin drejtësi”

Aktualitet | 1 vit më parë

Në Pallatin e Kongreseve u zhvilluan homazhet në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën tragjikisht dy ditë më parë, pas një atentati në sallën e gjykatës së Apelit, gjatë një seance gjyqësore. Vrasja e tij ka shkaktuar një tronditje të thellë në sistemin e drejtësisë dhe në të gjithë shoqërinë shqiptare, duke nxitur reagime të fuqishme nga përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë dhe të shtetit.

Ceremonia e homazheve, që filloi në orën 09:00 dhe zgjati deri në 11:25, ku u shprehën ngushëllimet dhe nderimet për gjyqtarin Kalaja. Pas ceremonisë, trupi i pajetë i gjyqtarit Astrit Kalaja u përcoll për në banesën e fundit në Shkodër, qytetin e tij të lindjes, ku ai do të prehet përjetësisht.

Gjatë homazheve, përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore dhe të sistemit të drejtësisë, kolegë, miq dhe familjarë të gjyqtarit Kalaja, i dhanë lamtumirën e fundit.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ishte i pari që bëri homazhe, duke lënë një shënim në librin e ngushëllimeve. Më pas, homazhet vazhduan me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj, të cilët shprehën respektin dhe mirënjohjen për kontributin e gjyqtarit Kalaja në sistemin e drejtësisë.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, gjatë një deklarate për mediat pas homazheve, e cilësoi ngjarjen si një moment alarmi për sistemin e drejtësisë. Ai theksoi se “situata është kritike, gjendja në gjykata është e papranueshme, siguria është në nivelin zero. Gjyqtarët kërkojnë siguri që të japin drejtësi,” duke shtuar se ky incident nuk mund të kalojë pa masa urgjente.

Një tjetër reagim i fortë erdhi nga kreu i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia, i cili e quajti këtë vrasje jo vetëm një akt barbar ndaj një gjyqtari, por një sulm të drejtpërdrejtë ndaj gjithë sistemit të drejtësisë.

“Duhet një bojkot për të vënë alarmin në të gjithë sistemin që nga presidenti deri tek avokati më i thjeshtë. Në këtë shoqëri është mbjellë urrejtja dhe ka lëshuar rrënjë të thella. Ajo duhet çrrënjosur njëherë këtu dhe pastaj me institucionet. Këtu duhen marrë masa drastike, t’i dali uji kësaj pune. Iku një njeri, në familjar, një baba, një koleg dhe ishte më humani në sistemin e drejtësisë. Koleget gjyqtarët janë të demoralizuar dhe madje njeri prej tyre tha se “na kanë nxjerrë në pritë” dhe kjo është shumë e rëndë,” tha Haxhia.

Presidenti Bajram Begaj dhe kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, takohen pas homazheve për gjyqtarin Kalaja

Edhe gjyqtari i Posaçëm, Erion Bani, gjatë homazheve, shprehu shqetësimin se pa një mjedis të sigurt, gjykatat nuk mund të ushtrojnë pavarësinë e tyre.

“Asnjë gjykatë nuk i plotësojnë kushtet e sigurisë dhe të kuptojmë e pa siguri të gjykata nuk mund të ketë pavarësi të gjyqtarit në dhënien e vendimit. Nëse ai nuk është  qetë në dhënin e vendimit nuk mund të jepet drejtësi. Ky duhet të jetë një moment reflektimi, gjykatat nuk mund të lihen në një situatë të tillë. Kjo kërkon një analizë të thellë ku të adresohen të gjitha problematikat”, tha Bani.

Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia

Edhe kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, e cilësoi ngjarjen një kambanë alarmi për sigurinë e punonjësve të drejtësisë dhe për përmirësimin e kushteve të sigurisë në gjykata.

“I dhamë nderimet e fundit një miku të vjetër me të cilin drejtësia humbi një njeri model, një gjyqtar me integritet. Ngjarja është tronditëse, është një akt barbar dhe një kambanë alarmi për sigurimi e punonjësve të drejtësisë. Le të shërbejë kjo ditë si një homazh për të gjithë punonjësit e drejtësisë që kanë përjetuar sakrifica në punën e tyre”, tha Manja.

Në homazhe morën pjesë gjithashtu përfaqësues të tjerë të lartë, si Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, kreu i SPAK, Altin Dumani, dhe Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu. Deputetë të Kuvendit gjithashtu shprehën ngushëllime për humbjen e një figure të shquar të drejtësisë.

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja

Ngjarja e rëndë ndodhi dy ditë më parë, kur gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje nga Elvis Shkambi, një palë në një çështje pronësie, pas shpalljes së vendimit në favor të palës tjetër. Gjatë këtij atentati, dy persona të tjerë, një baba dhe një bir, u plagosën rëndë. Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e të gjithë shoqërisë dhe është dënuar ashpër nga të gjitha nivelet e drejtësisë dhe të institucioneve shtetërore, të cilat e cilësuan aktin si një “sulm brutal ndaj drejtësisë” dhe një “goditje ndaj themeleve të shtetit të së drejtës.”

Ky akt ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë e gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të drejtësisë. Përfaqësues të ndryshëm të sistemit të drejtësisë kanë kërkuar një analizë të thellë të situatës dhe një ndryshim të menjëhershëm të politikave dhe masave për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve dhe të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme