Projektligji i ri për rezervat e naftës, Shqipëria garanton furnizimin dhe rrit sigurinë energjetike

Ekonomi | 1 vit më parë

Qeveria ka finalizuar dhe pret të paraqesë për miratim në Kuvend projektligjin “Për Krijimin, Mbajtjen dhe Menaxhimin e Rezervave Minimale të Sigurisë të Naftës Bruto dhe Nënprodukteve të Saj”. Ky akt ligjor vjen si një detyrim i Komunitetit të Energjisë dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe synon të rrisë ndjeshëm sigurinë e furnizimit me karburant në vend.

Objektivi kryesor është garantimi i rezervave të naftës për të përballuar mungesat ose reduktimet e papritura të furnizimit të tregut.

Projektligji parashikon krijimin e një Autoriteti të ri (ARS), i cili do të jetë institucioni përgjegjës për krijimin, mbajtjen dhe përdorimin e rezervave të sigurisë. Ky autoritet do të jetë person juridik publik, jofitimprurës dhe jo buxhetor, në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE).

Targeti final i Shqipërisë, sipas kërkesave të Direktivës 2009/119/KE, do të jetë mbajtja e rezervave të barabarta me të paktën 90 ditë importe mesatare neto ose 61 ditë konsumi mesatar ditor i brendshëm, cilado qoftë sasia më e madhe, shkruan rtsh.al.

Këto rezerva nuk do të krijohen menjëherë, por gradualisht dhe në mënyrë proporcionale, bazuar në një Plan Veprimi që do të miratohet nga Këshilli i Ministrave.

Tarifa për akcizën

Një nga pikat kyçe të projektligjit ka të bëjë me financimin e këtij detyrimi të ri. Kostot për krijimin, ruajtjen dhe menaxhimin e rezervave të sigurisë do të mbulohen përmes vendosjes së një tarife të posaçme.

Kjo tarifë do të aplikohet mbi sasitë e produkteve hidrokarbure që i nënshtrohen detyrimit të pagesës së taksës së Akcizës. Mbledhja e kësaj pagese do të bëhet nga Autoriteti Doganor dhe do të shkojë direkt në llogarinë e Autoritetit të ri (ARS).

Tarifa specifike pritet të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave çdo vit, duke e bërë atë subjekt të lëkundjeve të çmimeve ndërkombëtare.

Zëvendësimi i ligjit të vjetër dhe përdorimi i rezervave

Projektligji i ri zëvendëson ligjin ekzistues të vitit 1999, i cili detyronte vetëm industrinë e naftës (kompanitë e tregtimit me shumicë dhe rafineritë) për mbajtjen e rezervës. Me ligjin e ri, ky detyrim kalon te Autoriteti publik i krijuar enkas.

Në rast të ndërprerjes së furnizimit, Këshilli i Ministrave do të marrë vendimin për përdorimin e rezervave të sigurisë, në përputhje me “Planin Kombëtar të Reagimit”. Pasi rezerva të jetë përdorur, ajo duhet të zëvendësohet shpejt brenda periudhës së rënë dakord.

Projektligji thekson se pavarësisht vonesave (detyrimi duhej të kishte nisur që në 1 janar 2024), ky akt është thelbësor për harmonizimin me Acquis Communautaire dhe përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë.

Sasitë e nënprodukteve për detyrimin për mbajtjen e rezervës së sigurisë gjatë vitit 2025, janë si më poshtë:

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme