Qeveria fuqizon Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, biletat e avionit, hotelet dhe menaxhimi i godinave qeveritare, tani në një dorë

Aktualitet | 1 vit më parë

Me propozim të Kryeministrit, Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime thelbësore në funksionet e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare (DSHQ), duke e shndërruar atë në një organ qendror blerës dhe menaxhues për shërbime kyçe logjistike dhe pronash. Qëllimi është rritja e efikasitetit, centralizimi i shpenzimeve dhe standardizimi i shërbimeve shtetërore.

Ndryshimet e VKM-së së vitit 1999 përfshijnë dy aspekte kryesore: centralizimin e blerjeve të udhëtimeve dhe marrjen e kontrollit të plotë mbi menaxhimin e pronave qeveritare.

DSHQ, agjencia qendrore për udhëtimet zyrtare

Funksioni më i rëndësishëm i shtuar është roli i DSHQ-së si organ qendror blerës për blerjen e biletave në transportin ajror, si dhe rezervimin dhe blerjen e shërbimeve të akomodimit në hoteleri jashtë vendit.

Këto shërbime do t’i ofrohen detyrimisht Kryeministrisë dhe ministrive. Për Presidentin dhe Kuvendin, shërbimet ofrohen me kërkesë.

Për zbatimin e këtij funksioni, DSHQ-ja do të negociojë kontrata kuadër me kompani ajrore, rrjete hoteliere dhe agjenci udhëtimi, si dhe do të nënshkruajë marrëveshje konfidencialiteti.

Institucionet përfituese duhet t’i dërgojnë kërkesat për udhëtim jo më vonë se 15 ditë para datës së udhëtimit, duke lënë afate më të shkurtra vetëm për rastet emergjente.

Ky funksion i ri si Organ Qendror Blerës do të fillojë të zbatohet nga data 1 Janar 2026.

Kontrolli qendror i godinave dhe mobiljeve

VKM-ja e re e fuqizon DSHQ-në me përgjegjësi të reja si administruese qendrore e aseteve shtetërore, si menaxhimi i pronave. DSHQ merr përsipër menaxhimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e të gjitha godinave qeveritare që janë në inventarin e Këshillit të Ministrave. Kjo përfshin rikonstruksionin, mobilimin dhe sigurinë teknike.

Përpos kësaj, krijohet një regjistër qendror i të gjitha godinave qeveritare, me të dhëna për sipërfaqen, gjendjen teknike dhe statusin ligjor, si dhe hartohen plane për menaxhimin me efikasitet të energjisë dhe integrimin e standardeve ‘green building’ në godinat qeveritare.

Sipas vendimit, DSHQ bëhet organ qendror blerës edhe për mobiljet dhe arredimin e Kryeministrisë, ministrive dhe përfaqësive diplomatike. Ajo do të krijojë një fond kombëtar mobiljesh dhe objektesh dekorative (koleksion shtetëror) me vlerë historike dhe artistike.

Shtimi i këtyre funksioneve synon të eliminojë fragmentarizimin e procedurave të prokurimit, duke sjellë kursime të pritshme në buxhetin e shtetit nga negociimi i kontratave kuadër dhe menaxhimi më i mirë i aseteve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme