Konferenca e NATO në Tiranë për Mbrojtjen Kibernetike, policia njofton masat: Akset rrugore që do të bllokohen

Në kuadër të zhvillimit të Konferencës së NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike, që do të mbahet nga 8 deri më 10 tetor 2025 në Pallatin e Kongreseve, Tiranë, Policia e Tiranës ka hartuar një plan të posaçëm masash sigurie, me synimin për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit dhe ruajtjen e rendit publik.
Për të siguruar zhvillimin normal të konferencës, janë vendosur kufizime në lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve, në disa nga zonat kryesore të kryeqytetit.
Ndalohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga semafori pranë Presidencës deri te sheshi “Nënë Tereza” (përfshirë edhe sheshin); Rrugën “Gjergj Filipi” dhe aksin që lidh hotelin “Marriott” me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Për këmbësorët, do të jetë i mbyllur trotuari nga hyrja e hotel “Rogner” deri te Pallati i Kongreseve, gjatë gjithë kohës së konferencës.
Kufizimet do të jenë në fuqi nga ora 07:00 e datës 9 tetor deri në ora 15:00 të datës 10 tetor 2025.
Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke i ftuar që të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e kufizuara dhe të respektojnë udhëzimet e punonjësve të Policisë dhe sinjalistikën përkatëse.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




