Kuvendi i Kosovës mblidhet të premten, vijon seanca e konstituimit me zgjedhjen e nënkryetarit serb

Kosovë | 1 vit më parë

Pas publikimit të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës mblidhet të premten për të vijuar me seancën konstitutive.

Në faqen zyrtare të këtij institucioni njoftohet se në rend dite do të jetë vetëm një pikë, zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb. Me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë, organi legjislativ i Kosovës do të konsiderohet i konstituuar. 

Sipas vendimit të saj, votimi në paketë për nënkryetarët e Kuvendit nuk është i detyrueshëm, por mund të realizohet me dakordësi mes grupeve parlamentare. Në këtë mënyrë, Gjykata thotë se zgjedhja e Emilja Rexhepit, nënkryetare nga komuniteti boshnjak, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, që ka edhe mbështetjen e Beogradit, ishte ankuar në Kushtetuese pikërisht për këtë pikë të procedurës, duke pretenduar se votimi veç e veç i dy nënkryetarëve nga pakicat përbënte shkelje.

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryetarin, tre nënkryetarët shqiptarë dhe nënkryetarin nga pakica joserbe tashmë, por dështoi të zgjedhë atë nga pakica serbe.

Nga 8 tetori deputetët kanë 12 ditë kohë për ta zgjedhur nënkryetarin serb dhe për ta bërë funksional përfundimisht Kuvendin e ri. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese nuk ka sqaruar as në vendimin e 30 shtatorit se çfarë do të ndodhë nëse nuk zgjidhet nënkryetari serb dhe nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit 12-ditor. 

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme