Familjet shqiptare po shpenzojnë më shumë, 39,6% shkon për ushqime dhe pije joalkoolike
Shpenzimet mesatare mujore të një familjeje shqiptare, e cila përbëhet mesatarisht nga 3,1 persona, kanë arritur në 93 mijë lekë, duke shënuar një rritje me 1,5% krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, qarku i Tiranës kryeson me shpenzimin mesatar mujor prej afro 108 mijë lekësh, ndjekur nga Korça dhe Durrësi.
Nga ana tjetër, familjet në Kukës dhe Dibër renditen në fund me rreth 75 mijë lekë në muaj, çka pasqyron pabarazi të dukshme rajonale në nivelin e jetesës.
INSTAT thekson se ushqimet dhe pijet joalkoolike mbeten zëri kryesor në buxhetet familjare, duke zënë 39,6% të totalit të konsumit.
Brenda këtij grupi, pjesa më e madhe e shpenzimeve shkojnë për perime, mish dhe nënproduktet e tij, si dhe për bukë e drithëra – tregues se struktura e konsumit mbetet e përqendruar te nevojat bazë.
Shpenzimet për banesë, ujë, energji elektrike dhe qira zënë 6,9% të totalit.
Gjatë vitit 2024, grupet me rritjen më të madhe të shpenzimeve rezultuan mobilimi dhe mirëmbajtja e banesës me 5,7%, transporti me 5,2% dhe veshjet e këpucët me 4,4%.
Këto të dhëna pasqyrojnë jo vetëm rritjen e kostove të jetesës, por edhe ndryshime graduale në mënyrën e konsumit, teksa familjet shqiptare përpiqen të përshtaten me inflacionin e qëndrueshëm dhe rritjen e çmimeve në mallrat e përditshme.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




