Ministri Lamallari: Cilësia e mjekësisë ligjore lidhet drejtpërdrejt me besueshmërinë e drejtësisë

Në Tiranë u zhvillua të enjten Konferenca e Akademisë së Shkencave Mjekësore Ligjore të Ballkanit (BAFS), ku morën pjesë ekspertë të lartë nga i gjithë rajoni, si dhe nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia. Në fjalën e tij, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, theksoi rolin jetik të ekspertëve mjeko-ligjorë, duke e cilësuar punën e tyre si themelore për sistemin e drejtësisë.
“Cilësia dhe integriteti i punës mjeko-ligjore lidhen drejtpërdrejt me besueshmërinë e vetë drejtësisë,” deklaroi Ministri Lamallari. Ai shtoi se çdo raport ekspertësh kontribuon në hetime të sakta, gjykime të drejta dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Lamallari garantoi se Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të mbështesë plotësisht pavarësinë dhe profesionalizmin e ekspertëve.
Ministri evidentoi gjithashtu investimet që janë bërë për rivitalizimin dhe modernizimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), duke përmendur: Rikonstruksionin e plotë të godinës; ngritjen e Laboratorit të Toksikologjisë me standarde evropiane; shtimin e kapaciteteve të Morgut.
“Ministria e Drejtësisë mbetet plotësisht e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit midis Institutit të Mjekësisë Ligjore, prokurorisë dhe gjyqësorit, duke siguruar që opinionet ekspertëve të vazhdojnë të jenë baza të besueshme për vendimet gjyqësore,” theksoi ai.
Ministri e përshkroi shkencën mjeko-ligjore jo thjesht si një disiplinë, por si një mision në shërbim të së vërtetës, përgjegjësisë dhe dinjitetit njerëzor. Ai përfundoi duke shprehur mirënjohjen për profesionistët dhe inkurajimin për brezin e ri të ekspertëve.
Organizimi i kësaj konference në Tiranë dëshmon vlerësimin e Shqipërisë për mjekësinë ligjore si një urë thelbësore mes shkencës dhe drejtësisë. Aktualisht, IML është institucioni i vetëm në vend që mban një ngarkesë vjetore prej rreth 18,000 vendimesh, të cilat përkthehen në akte ekspertimi në fushat e mjekësisë ligjore, psikiatrisë, toksikologjisë dhe biologjisë ligjore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




