Sulmet kibernetike, eksperti i sigurisë Softa: Duhet strategji kombëtare dhe kuadër ligjor i unifikuar me standardet e NATO-s

Aktualitet | 1 vit më parë

Eksperti i sigurisë Fatjon Softa tha se Shqipëria duhet të investojë në mbrojtjen kibernetike, burimet njerëzore si dhe të krijojë një kuadër ligjor dhe të unifikuar me standardet e NATO-s.

Gjatë një interviste për RTSH 24, Softa nuk e cilësoi rastësi zhvillimin e Konferencës për Mbrojtjen Kibernetike në Tiranë, ku tha se Shqipëria ka qenë disa herë objekt i sulmeve të avancuara kibernetike.

“Jo rastësisht është zgjedhur Tirana dhe kjo temë të trajtohet në hapësirën ballkanike, ku kryesisht Shqipëria ka qenë e goditur nga sulmet kibernetike. Sulmet hibride, sulmet kibernetike janë tema të ditës pasi lufta kibernetike krijon dëme jetike në infrastrukturën dixhitale dhe krijon problematika si në mbrojtje dhe bashkëpunim mes anëtarëve të NATO-s në kuadër të bllokut të mbrojtjes. Kjo konferencë është e rëndësisë së veçantë në një moment kur gjithmonë mbrojtja kibernetike është teme e ditës dhe të krijojnë një strukturë mbrojtëse mes vendeve anëtare”, tha Softa.

Ai nënvizoi se përballë kërcënimeve gjithnjë e më të sofistikuara, mbrojtja duhet të avancojë jo vetëm përmes teknologjisë, por edhe përmes burimeve njerëzore dhe kuadrit ligjor.

“Përtej sistemit mbrojtës duhen edhe burimet njerëzore, përgatitja e një kuadri ligjor. Anëtarët e NATO-s duhet të kenë të njëjtat standarde për mbrojtje dhe sulmet kibernetike. Sot lufta është hibride. Shqipëria duhet të përgatisë një kuadër ligjor për të referuar strategjinë dhe rrugëtimin që duhet të bëjë për t’u bërë me kompakte në anëtarësimin e BE por edhe të shërbimit të informacionit me anëtarët e NATO-s lidhur me mbrojtjen kibernetike. Shqipëria ka shumë shërbime online dhe teknologjia është më e ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike, ai sulm i bërë nga Irani çoi në përshkallëzim diplomatik dhe dëmet ishin jo të vogla, se pamë se si u ekspozuan të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë. Ishte një sulm frontal ku mund të jenë ekspozuar edhe element të një rreziku dhe që kanë të bëjnë me të dhënat sensitive për policinë, ushtrinë dhe shërbimet informative. Mbrojtja, investimet, burimet njerëzore nuk janë të mjaftueshëm pa pasur edhe një kulturë të gjeneratës për mbrojtjen kibernetike. Të futet kultura në shkolla që gjenerata të mësojë mbi mbrojtjen kibernetike”, tha Softa.

Eksperti theksoi rëndësinë e edukimit dhe ndërgjegjësimit të brezave të rinj për sigurinë kibernetike, si dhe nevojën për depolitizim të administratës publike në fushën e mbrojtjes dixhitale.

“Duhet një strategji kombëtare gjithëpërfshirës dhe lufta politike nuk duhet të përfshihet këtu. Kjo të mos merret thjeshtë për tu politizuar. Duhet mirëfunksionimi i një administrate unike gjithëpërfshirëse edhe të mos jetë pjesë e luftërave politike, të gjitha institucionet të mos jenë politike por ku të dominojë meritokracia dhe investimet të jenë afatgjata. Të investojmë te profesionistë, të cilët janë pasuri kombëtare”, u shpreh eksperti i sigurisë.

Në Tiranë u zhvillua Konferenca për Mbrojtjen Kibernetike, ku morën pjesë drejtues politikë, ekspertë të sigurisë, përfaqësues të industrisë dhe institucioneve të vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerëve të saj.

Qëllimi i konferencës ishte forcimi i bashkëpunimit dhe ndërtimi i një strukture të përbashkët mbrojtëse ndaj sulmeve hibride dhe kibernetike, të cilat po shndërrohen në një kërcënim të përditshëm për infrastrukturën dixhitale të vendeve demokratike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme