Inagurohet “Tirana Mooons” në Sheshin “Nënë Tereza”, hapësirë dedikuar librit, Rama: Ecim përpara me projekte të mëdha

Aktualitet | 1 vit më parë

“Tirana Mooons”, një hapësirë dedikuar librit, është inauguruar në sheshin “Nënë Tereza” mbrëmjen e kësaj të shtune (11 tetor). I pranishëm në ceremoninë e hapjes, Kryeministri Edi Rama theksoi se ky projekt është pjesë e një vizioni më të gjerë për transformimin urban të Tiranës. Ai njoftoi se në sheshin “Nënë Tereza” do të ndërtohet edhe një parkim nëntokësor, duke e vendosur hapësirën në funksion të qytetit

“Ne duam të ecim përpara me projekte të mëdha, masive. Do ta vendosim edhe këtë hapësirë në dispozicion të qytetit për parking nëntokësor, por jo vetëm kaq, po përgatisim një projekt shumë të bukur. Të shohim si do të dalë”, tha Rama.

Ai shtoi me humor se çdo herë që arkitektët ndërkombëtarë mblidhen në Tiranë, Shqipërisë i duhet një ndeshje futbolli, duke shpresuar që prania e tyre t’i sjellë fat ekipit kombëtar që luante atë mbrëmje.

“Mendoj se ka diçka interesante që duhet çkoduar sepse sa herë arkitektët ndërkombëtarë mblidhen në të tillë numra në Tiranë, Shqipërisë i duhet një ndeshje futbolli. Me shpresë do t’i sillni pak fat ekipit tonë që luan jashtë sonte”, u shpreh ai.

“Tirana Mooons”, vepër artistike e arkitektit Chris Prech është dizajnuar për të qenë i lëvizshëm, në mënyrë që të zhvendoset edhe në hapësira të tjera. Projekti nuk ndërhyn në strukturën ekzistuese të sheshit dhe synon të ofrojë një oaz të gjelbër dhe një hapësirë publike të dedikuar librave.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme