Bazë armësh në Fier, sekuestrohen 13 armë zjarri e municion luftarak

Aktualitet | 1 vit më parë

Një kontroll në banesën e 38-vjeçarit Milasin Ramaj, pas një denoncimi të mbërritur ndaj tij, ka çuar në zbulimin e një baze të mirëfilltë armësh në lagjen “Kastriot” të Fierit.

Gjatë kontrolleve u gjet një arsenal armësh që përfshinte dhjetë automatikë, tre prej tyre të modifikuar me shënjestër optike dhe vend për silenciator, një pistoletë, një pistoletë automatike, si dhe sasi të konsiderueshme municioni. Në ambient u gjetën gjithashtu dy silenciatorë, disa karikatorë dhe krehra pistolete.

Sipas burimeve zyrtare, armët dyshohet se mbaheshin për t’u tregtuar te persona të përfshirë në aktivitete kriminale, kryesisht për qëllime të trafikut dhe krimeve kundër personit. Banesa ku u gjetën armët ishte e pabanuar dhe dyshohet se përdorej prej kohësh vetëm për depozitimin dhe modifikimin e tyre.

Gjatë ndërhyrjes, 38-vjeçari u ndalua në qendër të Fierit, teksa lëvizte me automjetin e tij. Në makinë iu gjet një pistoletë pa leje dhe një shumë prej rreth 3 mijë e 500 euro, që dyshohet të jenë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.

Ramaj është shoqëruar për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbuluar se kush ishin bashkëpunëtorët dhe destinacionet e mundshme të armëve.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme