KLGJ masa për sigurinë në Gjykata, plani parashikon ndërtimin e godinave të reja dhe miratimin e protokolleve

Aktualitet | 1 vit më parë

Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, ka ngritur një grup pune dhe ka miratuar një plan masash për përmirësimin e sigurisë në gjykata.

Plani përfshin analizimin e situatës së sigurisë gjatë viteve 2023-2025, standardizimin e procedurave dhe trajnimin e personelit, si dhe sigurimin e punonjësve të sigurisë ose policëve të Policisë së Shtetit në çdo gjykatë.

Përveç kësaj, plani parashikon ndërtimin e 8 godinave të reja të gjykatave të shkallës së parë në rrethet gjyqësore dhe godinave të reja për Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, të cilat do të kalojnë në pronësi të KLGJ për të garantuar pavarësinë institucionale.

Për nder të gjyqtarit të rënë, do të nisë procedura për emërtimin e sallës së amfiteatrit në “Poli i Drejtësisë” me emrin “Astrit Kalaja” dhe shpalljen e tij “Dëshmor i Atdheut”.

Një grup ndërinstitucional me përfaqësues nga KLGJ, KLP, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera do të hartojë masa të përbashkëta për sigurinë në sistemin gjyqësor.

KLGJ gjithashtu do të propozojë ndryshime ligjore dhe nënligjore për të garantuar mbrojtjen e gjyqtarëve, personelit dhe përdoruesve të gjykatës, dhe do të koordinojë masa kundër gjuhës së papërshtatshme në media dhe rrjete sociale.

Deklarata e plotë e KLGJ nënvizon përkushtimin e tij për një drejtësi të sigurt, të pavarur dhe funksionale, në shërbim të qytetarëve dhe shtetit të së drejtës.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme