Dritë jeshile nga komisioni, projektligji për rikonstruksionin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë miratohet në parim

Politikë | 1 vit më parë

Komisioni Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, i drejtuar nga Anila Denaj, miratoi në parim dhe nen për nen projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime (BEI), për projektin ‘Infrastruktura hekurudhore e korridorit VIII, faza I – Shqipëri’”.

Ky vendim i jep dritën jeshile një projekti madhor, i cili synon të modernizojë një pjesë thelbësore të rrjetit hekurudhor shqiptar.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, theksoi se objektivi kryesor është rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Rrogozhinë, në një gjatësi prej 34 kilometrash.

Sipas relatores së çështjes, znj. Besa Spaho, zbatimi i projektit ka disa synime kyçe si krijimi i një linje moderne që lejon shpejtësi deri në 120 km/h, duke rritur ndjeshëm kushtet e sigurisë.

Përmbushja e kërkesave të Specifikimeve Teknike të Ndërveprimit (TSI) dhe zbatimi i sistemit evropian të menaxhimit të trafikut hekurudhor (ERTMS).

Ndërtimi i një infrastrukture hekurudhore ndërvepruese, thelbësore për lidhjen me vendet fqinje, rajonin dhe Korridorin VIII Evropian.

Ky investim konsiderohet në përputhje të plotë me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022–2030, duke promovuar lëvizshmërinë e gjelbër dhe të qëndrueshme.

Pas miratimit në Komision, projektligji pritet të kalojë për votim në seancën plenare të Kuvendit për ratifikimin përfundimtar të marrëveshjes së grantit me Bankën Evropiane për Investime. Kjo do të hapë rrugën për nisjen e procedurave për zbatimin e Faza I të këtij projekti hekurudhor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme