Raporti vjetor i RTSH, Hoxhalli: Bashkëpunim me EBU për reformimin e institucionit. Ndryshime thelbësore në strukturë dhe financim
Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar (KDRTSH) ka prezantuar ditën e sotme raportin vjetor të punës para Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.
Kryetari i Këshillit Drejtues, Fatjon Hoxhalli, në praninë edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, Eni Vasili dhe pjesëtarëve të tjerë të KDRTSH-së, foli për progresin në implementimin e një reforme të thellë për transformimin e RTSH-së pas një periudhe sfidash institucionale.
“Duke qenë të vetëdijshëm për nevojën emergjente të një reforme të thellë, ne kemi marrë hapa konkretë për të projektuar rimodelimin e RTSH-së sipas standardeve më të mira evropiane të transmetuesve publikë. Në këtë rrugëtim transformues kemi gjetur aleatin dhe ekspertizën e duhur në EBU, unioni më i madh e prestigjioz i medieve publike europiane, ku RTSH-ja bën pjesë si anëtare. Në bashkëpunim me njësinë e specializuar të EBU, po punojmë për të hartuar një model strategjik reformimi që merr në konsideratë të gjithë dimensionin kritik të funksionimit të RTSH-së”, shtoi ai.
Hoxhalli deklaroi se brenda muajit nëntor do të vijë misioni i parë teknik i ekspertëve të EBU-së, të cilët do të ndihmojnë në hartimin e një plani të detajuar për reforma të mëtejshme. Reformimi përfshin disa elemente kyçe, si: një model të ri financimi me qëllim sigurimin e pavarësisë dhe qëndrueshmërisë financiare të RTSH-së, indeksimin e tarifës së aparatit televiziv, rishikimin e përqindjes për agjentët mbledhës të tarifës dhe rihartimin e portofolit programor. Reforma pritet të prekë edhe strukturën e brendshme të RTSH-së, duke e rikonceptuar organigramën në bazë të flukseve të punës.
Anëtarët e komisionit parlamentar ngritën gjithashtu shqetësimin për numrin e lartë të çështjeve gjyqësore që përfshijnë radiotelevizionin publik. Hoxhalli sqaroi se 84 procese janë regjistruar në dy vitet e fundit, me një rrezik financiar që mund të arrijë mbi 200 milionë lekë, duke theksuar nevojën për rregullim dhe stabilizim të marrëdhënieve ligjore dhe të punës brenda institucionit. Institucioni po mban përgjegjësi për këtë, tha Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së.
“Përgjegjësia financiare dhe institucionale i takon RTSH-së. Për sa i përket përgjegjësisë individuale, kjo mund të evidentohet në përfundim të auditit të brendshëm ose nga KLSH-ja, nëse konstatohet. Nëse hasim përgjegjësi penale, kemi detyrim ligjor të procedojmë, por deri më tani nuk është ky rasti,” u shpreh znj. Vasili.
Ndalur të transparenca, Drejtoresha e Përgjithshme bëri me dije se po punohet për ngritjen e një strukture të veçantë, “që të mundësojë botimin në kohë të të gjithë materialeve, jo vetëm atyre të mbetura, por edhe ato që i takojnë menaxhmentit të ri nga marsi i 2025 e tutje. Jemi duke ngritur një strukturë të veçantë me këtë, pasi nuk ekziston. Duke qenë që dokumentacioni është i madh, kemi parashikuar ngritjen e një strukture të veçantë që do të merret me transparencën.”
Pavarësisht vështirësive, z. Hoxhalli foli për disa arritje domethënëse për vitin 2024. Ai nënvizoi se RTSH-ja ka operuar me 16 kanale televizive dhe 11 kanale radiofonike, duke mbuluar mbi 95% të territorit dhe rreth 80% të popullsisë shqiptare. Sipas z. Hoxhalli, kjo shtrirje gjeografike e bën RTSH-në një instrument të pazëvendësueshëm të komunikimit publik. Gjithashtu, në fjalën e tij ai evidentoi se rrjeti i transmetimit të RTSH-së ka ruajtur një shkallë disponueshmërie sinjali prej 99.92%, një tregues i qëndrueshmërisë teknike dhe besueshmërisë për ndjekjen e ngjarjeve të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në fokus të programacionit të ri, znj. Vasili tha se janë fëmijët dhe të rinjtë, veçanërisht grupmosha 10–14 vjeç. RTSH ka parashikuar transmetimin e programeve të reja në disa kanale: RTSH 1, RTSH 2 dhe RTSH Fëmijë. Gjithashtu, po zhvillohen negociata me Ministrinë e Arsimit për përmbajtjen e RTSH Shkollë. “Jemi në diskutime për një kontratë të re që do të sjellë përmbajtje të re dhe të përshtatur për nevojat arsimore,” u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme, ndërsa shtoi se shërbimi OTT i radiotelevizionit publik parashikohet të riaktivizohet nga fillimi i vitit 2026.
Për sa i përket digjitalizimit të arkivit të pasur audioviziv të RTSH-së, znj. Vasili deklaroi se ajo mbetet një sfidë e trashëguar, por edhe në fokusin e punës së saj si drejtuese. RTSH është tanimë anëtar aktiv në Federatën Ndërkombëtare të Arkivave të Televizioneve.
“Ndër sfidat më të mëdha, arkivi i RTSH-së! Më shumë dëshirë dhe dashuri do dua ta çoj përpara. Në fund të këtij muaji do jemi në Romë. Jemi bërë anëtar aktiv i Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Televizioneve. Kemi vendosur kontakte me disa televizione prestigjioze. Fazat e realizimit, digjitalizimit të arkivës janë të ndryshme. Faza e parë është konservimi i asaj që kemi. Finalja është digjitalizimi,” tha Drejtoresha e Përgjithshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




