Ngjarje kriminale në Pogradec, dy 16-vjeçarë qëlluan me armë në drejtim të një banese, arrestohen nga policia

Aktualitet | 1 vit më parë

Një rast i rëndë i përfshirjes së të miturve në veprimtari kriminale ka tronditur Pogradecin. Policia njoftoi sot identifikimin dhe arrestimin e dy 16-vjeçarëve, M. K. dhe J. H., të cilët dyshohet se në muajin Maj 2025 qëlluan me armë zjarri në drejtim të banesës së një 42-vjeçari, në lagjen nr. 1 të qytetit.

Falë informacionit të siguruar nga qytetarët dhe punës së shërbimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, u bë i mundur dokumentimi ligjor i rastit. Gjatë operacionit, Policia zbuloi dhe sekuestroi armën e krimit: një automatik Kallashnikov (model 56) të cilin të miturit e mbanin të fshehur në një varr, në varrezat e qytetit.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e njërit prej të arrestuarve, M. K., u gjetën municion luftarak, një gëzhojë, si dhe një dorezë metalike (përforcues grushti).

Një fakt që shton shqetësimin është se njëri prej 16-vjeçarëve, J. H., rezulton të jetë i proceduar penalisht më parë për plagosje me thikë.

Pas veprimeve hetimore, dy të miturit do të përballen me drejtësinë me akuzat për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Dhunimi i varreve”, të kryera në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme