RTSH do rimodelohet sipas standardeve të EBU-së, Drejtoresha Vasili: Do i japim publikut një televizion të 2025-ës

Aktualitet | 1 vit më parë

Radio Televizioni Shqiptar do të bashkëpunojë me Unionin Europian të Transmetuesve Publikë (EBU), për t’u rimodeluar sipas standardeve më të mira evropiane.

Këtë ambicie e parashtroi të martën Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, teksa raportoi para Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, se ky do të jetë një rrugëtim transformues me ndihmën e unionit më prestigjioz të medieve publike europiane.

Drejtoresha e Përgjithshme tha se centralizimi si koncept i rrënjosur brenda institucionit e ka dëmtuar RTSH-në.

“E kam vënë re që ditën e parë që kam hyrë. Më kanë sjellë dy vandaqe të mëdha në letër, që ishin për t’u firmosur, që nga shkulja e gozhdëve deri te programacioni. Shpresoj që në bashkëpunim me EBU-në kjo të jetë pjesë e ristrukturimit, sepse ristrukturimi do të jetë i thellë, organizativ, financiar, programor.

Me EBU-në kemi dy-tre muaj që negociojmë. Edhe të arrijmë që ata të pranojnë që ekipi i tyre, misioni transformues, të vijë në Shqipëri në një kohë kaq të shkurtër, kur menaxhimi i ri sapo e ka marrë detyrën, nuk ka qenë e thjeshtë. Më besoni për këtë. Nuk është e zakonshme për ta që të vijnë kaq shpejt pas kërkesës. Gjithsesi ne kemi negociuar shumë fort dhe jemi shumë të lumtur që ata e pranuan kërkesën tonë për të ardhur.

Ajo që duam të bëjmë, së pari, me asistencën e tyre është që të kuptojmë ku jemi sot? Në çfarë viti televiziv jemi? Pra, sigurisht nuk jemi në 2025-ën. E sigurisht është që ne duhet ta kapim ritmin, t’i japim publikut një televizion dhe programacion të 2025-ës. Rruga se si mund të shkojmë atje është një rrugë që duhet ta kuptojmë dhe ta gjejmë së bashku me EBU-në, dhe pastaj të gjejmë mënyrat për të lobuar pranë qeverisë dhe legjislativit për ta mbështetur, sepse ajo sigurisht do të prodhojë një kosto të caktuar financiare,” u shpreh znj. Vasili.

Drejtoresha e Përgjithshme tha se RTSH-ja gjithashtu e ka racionalizuar borxhin e saj ndaj EBU-së, fakt me të cilin ajo u përball papritur që në javët e saj të para në detyrën e re.

“Kemi gjetur një borxh të trashëguar. Nuk ishim në dijeni në momentin që kemi marrë faturat nga EBU-ja. Na kanë ardhur ato me postë. Është një detaj i parëndësishëm, por disa fatura vinin edhe në email-e personale të njerëzve që nuk ishin më në institucione. Ishte e pamundur të identifikonim cili ishte borxhi. Erdhën me postë, me alert. Na thanë që nëse ju nuk bëni pagesa kaq shumë të prapambetura dhe me kaq shumë thirrje rrezikoni humbjen e të drejtave televizive, humbjen e të drejtave sportive të transmetimit, sigurisht edhe pjesëmarrjen në Eurovizion. Kemi bërë një negocim intensiv me Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë, me Drejtorinë e Financës. Nuk ka qenë një negociatë e thjeshtë, sepse borxhet ishin stivosur mirë dhe EBU-ja ka një politikë të caktuar për shlyerjen e detyrimeve që ke. Gjithsesi është mirë kur përfundon mirë. Kemi filluar në gusht që të paguajmë këstet e borxheve, të cilat përfundojnë, në mos gaboj, në fund të nëntorit,” deklaroi znj. Vasili.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme