“Trialog”, Vangjeli: Dështimin e SPAK e urojnë njëlloj të gjithë. Beci: Fokusin e ka te korrupsioni, krimi i organizuar ka kaluar në plan të dytë

Politikë | 1 vit më parë

Në emisionin “Trialog” në RTSH, nën moderimin e Alba Alishanit, u zhvillua një diskutim i thelluar mbi rolin dhe funksionimin e SPAK-ut në sistemin e drejtësisë shqiptare.

Analisti Lorenc Vangjeli theksoi se SPAK-u përfaqëson vetëm një ndryshim në formë, jo në thelb. Ai shtoi se ndërsa SPAK merret me korrupsionin në nivele të larta, qytetarët e zakonshëm përballen me drejtësinë përmes prokurorive të rretheve.

“Ka të bëjë vetëm me ndryshimin në formë, nuk ka një dualitet. SPAK-u është maja e piramidës, por protagonizmi i spikatur i SPAK dhe Dumanit ka bërë që Prokuroria e Përgjithshme të mbetet në hije. Target-grupi i SPAK-ut është korrupsioni që ka të bëjë me zyrtarët e lartë, ndërsa te prokuroritë e zakonshme kalojnë hallet e 99% të gjithë shqiptarëve që kanë probleme me ligjin. Një pjesë e SPAK-ut e ka urimin, por nga këto burime njerëzore, a ka ndryshim cilësor në punën e tyre, krahasuar me eksperiencën e të kaluarës? Dështimin e SPAK-ut e urojnë njëlloj si ata që e duartrokasin, si ata që e shkelmojnë, sepse u ka ardhur te dera, dhe kjo është një arsye”, tha Vangjeli

Nga ana tjetër, ish-prokurori Eugen Beci tha se SPAK është e foksuar më së shumti te korrupsioni dhe se krimi i organizuar ka kaluar në plan të dytë, por edhe në këtë drejtim ka rezultate konkrete.

“Prokuroria e Krimeve të Rënda ishte kompetente, por nuk kishte atë mbështetje që ka sot. Me ato kushte dhe rrethana, rezultatet ishin shumë më të mira. Por duke iu referuar ditës së sotme, ku këta prokurorë kanë marrë përvoja, trajnime dhe mbështetje pa rezervë, kjo duhet t’i bëjë më produktivë në punën që kanë marrë përsipër. SPAK ka rezultate shumë domethënëse, që janë në rritje, edhe për arsye të ndryshimeve sasiore që sjellin dhe ndryshime cilësore. SPAK ka sukses në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe krimi i organizuar është në plan të dytë, por ka pasur rezultate konkrete”, tha Beci.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme