Trialog, Beci: Paradoks që SPAK jep llogari para deputetëve që mund të jenë subjekt i hetimit. Ja pse po zvarritet çështja ‘McGonigal’

Politikë | 1 vit më parë

Ish-prokurori Eugen Beci ka ngritur shqetësime të forta lidhur me raportimin e SPAK përpara Kuvendit të Shqipërisë, duke e quajtur këtë një situatë paradoksale që kërkon zgjidhje kushtetuese.

Në një deklaratë të dhënë në emisionin “Trialog” në RTSH, Beci u shpreh se është e papranueshme që një prokurori e krijuar për të hetuar korrupsionin, shpërdorimin e detyrës, madje edhe përplasjet fizike mes deputetëve, të detyrohet të japë llogari pikërisht përpara tyre.

“Ballafaqimi duhet rregulluar. Nuk mundet që një prokurori, e cila ka si synim të hetojë korrupsionin, shpërdorimin dhe madje edhe rrahjet mes deputetëve, të shkojë e të japë llogari para tyre. Duhet gjetur një zgjidhje në Kushtetutë. Ky është një paradoks që ndodh,” deklaroi Beci.

Duke iu referuar çështjes së bujshme “McGonigal”, Beci tha se zvarritja e hetimeve është e lidhur me kërkesat për ndihmë juridike ndaj autoriteteve amerikane. Sipas tij, përfundimi i hetimeve do të varet nga përgjigjet dhe provat që do të vijnë nga SHBA.

“Nëse një profesionist dëgjon referimin e SPAK para Parlamentit, ku thuhet se dosja McGonigal po zvarritet sepse i është kërkuar ndihmë juridike autoriteteve amerikane, atëherë është e qartë që në varësi të provave do të shihet si do të zgjidhet këtu,” shtoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme