Konferenca e Kryetarëve, Gjekmarkaj akuza mazhorancës: Po silleni si edukatorë, po mbani dy standarde

Mbledhja e sotme e Konferencës së Kryetarëve në Kuvend është zhvilluar me debateve midis mazhorancës dhe opozitës, ku po diskutohet ngritja e dy komisioneve të posaçme asaj Zgjedhore dhe Territoriale. Opozita kërkon që Në komisionin e “Zgjedhores” të kërkohet konsultimi me ODIHR-in dhe në atë të “Territoriales” të kërkohen ekspertë nga komisioni Venecias.
Deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherësh nënkryetar i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të mazhorancës, duke kërkuar më shumë respekt dhe barazi në debatet parlamentare.
“Unë mendoj se secili është përgjegjës për veten dhe për retorikën që ndërton. Ju na thoni: ‘Fol si duhet, fol ashtu, fol kështu, mos bëj moral, mos bëj zhurmë…’ Por a është normale që nga pala tjetër të na mësojnë si të sillemi? Mos u sillni me arrogancë si edukatorë!”, tha Gjekmarkaj.
Ai iu referua edhe një episodi në sallë, ku sipas tij, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla kishte bërë një fyerje “jashtë mikrofonit”.
“Zonjat e PS-së, që shtrembëruan fytyrën për fjalët e Bardhit, nuk e dëgjuan ‘aromën akustike’ të metaforës së Ballës. Gjithë kohës mbani dy standarde, dhe zoti Balla duhet të kërkojë falje,” shtoi ai.
Gjekmarkaj akuzoi se Kuvendi po shkojnë drejt degradimit dhe se kryeparlamentari Niko Peleshi po drejton seancat plenare “me fuqinë e kartonit”.
“Nuk e kuptoj këtë çmenduri të këtyre muajve me njoftime, procesverbale e ikje me vrap! Meqë jeni lodhur, ju sugjeroj ta mbyllni këtë parlament deri në pranverë: pushoni, reflektoni, kalon dimri dhe pastaj shohim e bëjmë. Më vjen keq për ju, zoti kryetar, sepse po ju zhbëjnë, po ju komandojnë nga poshtë e nga lart. Thonë që për gjashtë muaj do t’ju zënë vendin! Nuk po bëj diversion, por po konstatoj derexhenë institucionale ku jemi katandisur”, tha Gjekmarkaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




