Reforma Zgjedhore dhe ajo Territoriale, Kuvendi vendos nesër për Komisionet e Posaçme. Zbardhen propozimet e PS

Dy projektvendimet, ai për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe ai për Reformën Territoriale janë depozituar tashmë në Konferencën e Kryetarëve dhe pritet të kalojnë nesër për miratim në seancë plenare.
Ndërkohë janë zbardhur propozimet e PS-së, sipas së cilëve Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale do të përbëhet nga 17 anëtarë, nga të cilët 9 do të jenë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar i Partisë së Lirisë. Emrat e anëtarëve të tij do të përcaktohen me vendim të Kuvendit.
Ky Komision i Posaçëm do të drejtohet nga maxhoranca, ndërsa zëvendëskryetari do të jetë nga opozita. Kujtojmë se kryeministri Edi Rama ka poropozuar Arbjan Mazniku për drejtimin e këtij Komisioni.
Ndërkohë, është parashikuar që veprimtaria e këtij Komisioni të zgjasë për 9 muaj, ndërsa në rast nevoje, me kërkesë të kryetarit të tij, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit.
Ky Komision i Posaçëm do të shqyrtojë kuadrin ligjor dhe institucional të qeverisjes vendore do të të analizojë dhe propozojë opsione për ridizenjimin territorial, si dhe do të analizojë sistemin aktual të financave vendore. Po ashtu, ky Komision pritet të sigurojë edhe përputhshmërinë e propozimeve me rregullat e BE-së.
Ndërkohë, Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore do të ketë 16 anëtarë, nga të cilët 8 përfaqësues të Partisë Socialiste dhe 8 përfaqësues nga Partitë e tjera parlamentare. Emrat e anëtarëve të Komisionit përcaktohen me vendim të Kuvendit.
Ky Komisioni do të ketë dy bashkëkryetarë, një nga Partia Socialiste dhe një nga Partia Demokratike. Përfaqësuesi i propozuar nga PS për drejtim është Damian Gjiknuri. Po ashtu, është parashikuar ngritja e grupi ekspertësh teknikë, përbërja dhe funksionimi i të cilit do të përcaktohen me vendim të Komisionit të Posaçëm Parlamentar.
Në propozim është parashikuar që, për çështje të veçanta për të cilat palët nuk do të gjejnë konsensus, do të vlerësohet dhe kërkohet asistenca e ekspertizës së OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




