Formimi i qeverisë së re të Kosovës, Osmani: Të gjendet gjuha e përbashkët. Sa më shpejt ta kemi, aq më parë shtyjmë reformat

Kosovë | 1 vit më parë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se formimi i Qeverisë duhet të ndodhë sa më shpejt për evituar shtyrjen përpara të reformave.

Pas një aktiviteti në Klinikën e Onkologjisë për gratë e prekura nga kanceri i gjirit, presidentja Osmani theksoi se me konstituimin e Kuvendit, tashmë gjetja e “gjuhës së përbashkët” është në duart e partive politike.

“Përkundër angazhimit tim të vazhdueshëm për konstituimin e Kuvendit, ajo çështje ka qenë e varur nga vullneti politik i partive dhe i deputetëve. Më në fund, edhe ai proces është përmbyllur. Kemi konstituimin e Kuvendit.

Sa më shpejt që të kemi një Qeveri me mandat kushtetues, aq më parë mund të shtyjmë përpara reformat, të miratojmë një buxhet gjithëpërfshirës dhe të marrim vendime të tjera të rëndësishme, të cilat janë paraparë të merren nga Qeveria. Por kur do të ndodhë kjo, varet nga partitë politike. Shpresoj që ato të arrijnë një gjuhë të përbashkët dhe qytetarët e Kosovës të kenë një Qeveri me mandat të plotë,” u shpreh kryetarja e shtetit të Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është mandatuar për formimin e qeverisë së re duke qenë edhe kryetari i partisë së parë të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, Lëvizjes Vetëvendosje. Nga data e nominimit, janë 15 ditë për të formuar Qeverinë.

“Mirëpo negociatat për koalicion bëhen vetëm mes partive politike. Si Presidente, nuk mund të ndërhyj dhe nuk mund të di se deri ku kanë arritur ato negociata,” theksoi presidentja Osmani.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme