Vlora përkujton 81-vjetorin e Çlirimit, ceremoni në nder të dëshmorëve të luftës antifashiste
Në 81-vjetorin e Çlirimit të qytetit të Vlorës nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre, bashkia e Vlorës organizoi një ceremoni përkujtimore në Varrezat e Dëshmorëve. Ishin te pranishëm kryetari i komanduar i bashkisë, Elis Halili, deputetë të Vlorës, përfaqësues të pushtetit vendor, veteranë të LANÇ-it, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të shumtë.
Nën tingujt e marshit të bandës frymore të qytetit, autoritetet vendosën kurora me lule dhe kryen homazhe pranë lapidarit të Dëshmorëve.
Kryetari i komanduar i Bashkisë, Elis Halili, mbajti fjalën e rastit, duke përcjellë mesazhin e respektit dhe mirënjohjes për të gjithë ata që sakrifikuan jetën për lirinë e atdheut.
“Në këtë ditë të shënuar i përulemi me nderim para kujtimit të pavdekshëm të atyre që ngritën pushkën për atdheun. Ata ishin njerëz të thjeshtë por me shpirt të madh dhe me besim të pathyeshëm se Shqipëria do të ishte e lirë”, u shpreh ai.
Më 15 tetor 1944, qyteti i Vlorës dhe rrethinat e tij u çliruan nga forcat partizane të Brigadës së 12-të Sulmuese, ndërsa në këtë betejë dhanë jetën 710 dëshmorë.
Aktivitete kulturore e artistike janë zhvilluar gjithashtu në qytet me angazhim të shkollave, qendrës kulturore të fëmijëve dhe teatrit Petro Marko.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




