“Në Kohë Reale” në RTSH: Monopatinat elektrike në qendër të diskutimit

Aktualitet | 1 vit më parë

Në studion e emisionit “Në Kohë Reale” në RTSH 1, u zhvillua sot një debat mes përfaqësuesve të Policisë Rrugore dhe organizatorëve të protestës kundër vendimit për bllokimin e monopatinave elektrike në Tiranë.

Specialisti i Trafikut Urban, Gerhard Baka, dhe qytetari Edison Lika, organizator i protestës në Drejtorinë e Policisë Rrugore, shprehën qëndrime të kundërta mbi vendimin për bllokimin e monopatinave elektrike.

Edison Lika e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe të paargumentuar ligjërisht.

“Fillimisht ne protestuam për një vendim të marrë në mënyrë të padrejtë. Ai u bazua vetëm në një deklaratë publike të ministres së Brendshme dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Nuk ka asnjë referencë ligjore, nuk është publikuar në Fletoren Zyrtare, por na u tha se ‘e keni parë në media’,” u shpreh Lika.

Ai shtoi se pas këtij njoftimi, shumë qytetarëve iu sekuestruan mjetet pa paralajmërim dhe pa bazë ligjore të qartë.

“Unë vetë e përdor monopatinën për të shkuar në punë. Ky vendim na penalizon dhe na vonon. Jetojmë në një qytet ku përdorimi i skuterave nuk është rastësi, por nevojë,” tha ai.

Nga ana e tij, Gerhard Baka, përfaqësues i Policisë Rrugore, argumentoi se qytetarët kanë qenë të informuar dhe se bllokimi i mbi 100 monopatinave elektrike është bërë në përputhje me nismën e Drejtorisë së Përgjithshme.

 “Pavarësisht pretendimeve se nuk kanë pasur informacion, qytetarët janë njoftuar. Ne jemi të gjithë të lidhur me rrjetet sociale dhe mediat, dhe informimi ka qenë i vazhdueshëm. Që në fillim kemi komunikuar me qytetarët dhe kemi bërë të qartë bazën ligjore. Edhe zoti Lika, që është sot i pranishëm, ka bërë ankesë pranë komisariatit për pretendimet e tij” tha Baka.

Ai shtoi se veprimi ka qenë i përkohshëm dhe i bazuar në nevojën për të evidentuar dhe rregulluar qarkullimin e kësaj kategorie mjetesh në rrugë.

“Që në ditën e parë të zbatimit, kemi bërë të qartë bazën ligjore dhe kemi komunikuar me qytetarët. Deri më tani janë bllokuar mbi 100 monopatina elektrike. Pavarësisht pretendimeve të qytetarëve se nuk kanë pasur informacion, ne kemi bërë njoftimet e nevojshme. Sot, të gjithë jemi të lidhur me rrjetet sociale dhe mediat, dhe informimi ka qenë i vazhdueshëm që nga dita kur nisi zbatimi i masës.” përfundoi Baka.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme