Gjermani, dështon ligji i ri për ushtrinë – Koalicioni gjerman ndahet për rikthimin me lotari të shërbimit në ushtri

Planet për një formë të re të shërbimit ushtarak në Gjermani janë përplasur me mosmarrëveshje mes partive në qeveri, duke çuar në anulimin e një konference për shtyp në minutën e fundit. Propozimi i diskutuar përfshinte një sistem lotarie, që do të përdorej nëse mungonin vullnetarët për ushtri, por kjo ide hasi në kundërshtim nga Partia Social Demokrate.
Modelet e reja u frymëzuan nga praktika të ngjashme në Danimarkë, ndërsa Gjermania kërkon të rrisë numrin e ushtarëve aktivë nga 180 mijë në 260 mijë brenda disa viteve. Megjithëse deri të martën pasdite dukej se partitë kishin rënë dakord, qëndrimi i papritur i SPD-së e rrëzoi marrëveshjen. Jens Spahn nga CDU deklaroi më herët se ishte gjetur një zgjidhje e mirë, por kjo optimizëm u shua shpejt.
Deputeti Norbert Röttgen fajësoi ministrin e Mbrojtjes Boris Pistorius, duke e akuzuar për sjellje përçarëse dhe mungesë bashkëpunimi. Pistorius, nga ana e tij, u shpreh se ideja për lotarinë nuk ishte e tij, por e Unionit CDU. Një tjetër plan i prezantuar më parë nga ai parashikonte dërgimin e një pyetësori të detyrueshëm për të rinjtë që mbarojnë shkollën, për të stimuluar rekrutimin vullnetar. Ndërkohë, vajzat do ta merrnin pyetësorin, por nuk do të ishin të detyruara të përgjigjeshin.
CDU-ja është shprehur e shqetësuar se kjo mënyrë nuk do të sjellë mjaftueshëm rekrutë. Ministri i Jashtëm Johann Ëadephul ka dalë hapur në mbështetje të një shërbimi të detyrueshëm ushtarak dhe e konsideron këtë si zgjidhjen më të drejtë. Përplasja politike ka rritur paqartësinë mbi fatin e projektligjit, i cili duhej të diskutohej në Bundestag të enjten.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




