“E kam denoncuar farsën ndaj Thaçit”, Rama i përgjigjet Vetëvendosjes: 10 vite më parë LVV s’njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e tij

Politikë | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratës së Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e akuzoi se ka mbështetur ngritjen e Gjykatës Speciale që po gjykon sot ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Në një postim në rrjetin social X, Rama e cilëson reagimin e Vetëvendosjes si një “çarçaf të gjatë”, duke theksuar se qëndrimi i tij ka qenë i qartë dhe se ka denoncuar publikisht në raste të ndryshme akuzat e ngritura ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale. Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim”, shkruan Rama.

Ai shprehet se nuk është në garë me Vetëvendosjen dhe kritikon “përzierjen” e marrëdhënieve institucionale mes Shqipërisë dhe Kosovës me zhvillimet elektorale lokale. Po ashtu, kreu i qeverisë shqiptare kujton se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, “jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”.

“Më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kurajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”, thekson Rama.

Në fund të reagimit, Rama sqaron se nuk është organizator apo folës në protestën gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, por e mbështet si qytetar, me kushtin që ajo të mos politizohet.

“E mbështes megjithë zemër dhe do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj”, përfundon kryeministri postimin e tij.

Në një reagim mbi protestën që pritet të mbahet nesër në sheshin “Skënderbej” në Tiranë në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, Lëvizja Vetëvendosje u ndal te qëndrimet e disa politikanëve shqiptarë në kohën kur u themelua Gjykata Speciale. Në një postim në rrjetet sociale, Lëvizja Vetëvendosje përmendi kryeministrin Edi Rama  si një prej politikanëve që ka qenë pro ngritjes së kësaj gjykate.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme